Dikush u ankua, e dikush u shfaq i kënaqur. Ata që marrin paga nga shteti, kanë pasur reagime të ndryshme lidhur me pagat të cilat janë ekzekutuar dje për herën e parë me Ligjin e ri të Pagave që u miratua kohë më parë.
Reagime të ndryshme ka pasur nga ana e policëve nëpër rrjete sociale, të cilët janë ankuar lidhur me kompensimin e shtesave dhe benefiteve të tjera me ligjin e ri, raporton DTV.
Një zyrtar policor me inicialet G. N. ka shkruar në Facebook se “(kjo është rroga) më e vogël deri tash që e kam marrë prej që punoj në Polici qe tri vjet.” derisa shprehte zemërimin e tij.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, u shpreh se po ashtu kishte marrë shqetësime nga kolegët me të cilët kishte folur, dhe se problemi ishte te shtesa e rrezikshmërisë që sipas tij ishte hequr.
“Janë edhe disa kolegë që po më shkruajnë, e që po më thonë se rrezikshmëria është hequr. Pakënaqësia është definitivisht shumë e madhe, dhe për këtë gjë kemi shprehur pakënaqësinë tonë edhe më herët,” – tha për DTV ai.
Zeqiri u shpreh se Qeveria e Kosovës duhej të jepte shpjegime se çka kishte ndodhur me shtesën e rrezikshmërisë.
Policia e Kosovës është vetëm një nga dhjetëra sindikatat dhe institucionet që i janë drejtuar me ankesë Avokatit të Popullit, që Ligjin e ri të Pagave ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.
Pak më të kënaqur me pagat e reja janë parë mësimdhënësit. Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, deklaroi dje se ka rritje për rreth 100 euro.
“Tek një pjesë e mësimdhënësve është lexuar gabim mesazhi ynë i parë. Ne kemi thënë se nuk kemi pritur vlerën e koeficientit 105 e kemi pritur që së paku qeveria të vendosë për një koeficient 120. Mirëpo edhe me vlerën 105 kemi hetuar një ngritje page mesatarisht 100 euro te punëtorët e arsimit, megjithatë ka lëvizje të pagave. Jemi në pritje që qeveria ta mbajë së paku fjalën se e ka dhënë që për vitin e ardhshëm koeficienti të shkojë për 110 euro apo mbase do të krijohen kushte të një dialogu të mirëfilltë dhe do të insistojmë që ky koeficient të jetë 120”, deklaroi Jasharaj për DTV.
Megjithatë, sindikalisti Ali Sefaj pati kritika se ka keqinformim nga institucionet edhe lidhur me pagat e mësimdhënësve.
“Rritja në arsim është rreth 80 euro, ndërsa nga Ministria e Financave mashtronin qe rritja është 150, 167 dhe 175 euro. Njejtë i kanë mashtruar të gjitha sektoret, perjashto oborrtaret qeveritar: ministra, zv ministra, deputet, kryetar komunash, keshilltar, drejtor në komuna dhe asamblistë. Mbasi na e keni sjellë njohjen nga Serbia edhe rrenat po ua bejmë hallall!”, ka shkruar Sefaj.
Gjatë ditës së djeshme ka pasur shumë reagime nga punonjës të sektorit publik e përfaqësues të partive politike.
Reagimet
Një reagim i ashpër erdhi edhe nga shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri i cili është shprehur se pagat janë dalë pa llogaritur shtesat, disave përvoja, rrezikshmëria e të tjerëve kompenzimet.
“Në vend të pagave, punëtorët e sektorit publik pranuan transfere kuturu. Disave nuk u janë llogaritur shtesat, të tjerëve përvoja, rrezikshmëria, të tjerëve kompensimet tjera, e kështu me radhë. Prapa kësaj qëndron agjenda politike e kësaj qeverie, pranoni pagat ose lëreni punën”, ka shkruar Tahiri.
Tutje ai u shpreh se sot shumica dërrmuese e profesionistëve në administratën publike, mbi 80 mijë u fyen, u tallën dhe u mashtruan.
E lidhur me shtesat, MPB ka njoftuar se shtesat për muajin shkurt do të paguhen në mënyrë retroaktive në pagën e muajit mars, meqë siç thonë po vazhdon procesi i mbledhjes së të dhënave dhe finalizimit të listave nga ana e Komisioneve.
“Pra, me përfundimin e mbledhjes së të dhënave nga ana e komisioneve dhe finalizimit të listave me zyrtarët që do të përfitojnë këto shtesa, të njëjtët do të marrin bashkë me pagën dhe shtesën e muajit mars edhe shtesën përkatëse për muajin shkurt. Ftojmë të gjitha institucionet që të dërgojnë të dhënat e kërkuara nga komisionet përkatëse pa vonesë, në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më pare”, thuhet në komunikatë.
Kritika ka pasur edhe Nol Nushi nga PSD-ja. “Ekzekutimi i pagave ne sektorin publik po del te jete masaker financiare. Mashtrimi eshte i frikshëm”, ka shkruar ai.
Edhe pse pagat janë ekzekutuar me Ligjin e ri, tashmë Avokati i Popullit është duke trajtuar të gjitha ankesat nga institucionet e organizatat, dhe pritet të ketë vendim nëse do ta dërgojnë këtë Ligj për trajtim në Gjykatën Kushtetuese.