Krasniqi e kritikon Kurtin për marrëveshjen: Nëse do të varej nga ti, nënshkrimi i saj do të ishte çështje ditësh

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka folur sot në seancën e Kuvendit, në lidhje me takimin që kishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq me datë 27 shkurt të këtij viti.

Ai ka thënë nëse do të varej nga kryeministri Kurti, nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të ishte çështje ditësh.

“Ne të kemi ftuar sot për të diskutuar pa paragjykuar, në interesin tonë dhe të qytetarëve të vendit, për një çështje që po e preokupon çdo qytetarë. Kjo marrëveshje u pranuar me vullnet nga kryeministri Kurti dhe duket që nëse do të varej prej tij, është çështje ditësh edhe nënshkrimi i saj”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, ai ka thënë se nëse lexohet teksti i këtij dokumenti shihet se Kurti është pajtuar që të kapërcej trashëgimin e së kaluarës.

“Mjafton të analizohet teksti i këtij dokumenti, nëse analizohet preambula e kësaj marrëveshje, me të cilën Kurti është pajtuar që të kapërcejë të kaluarën e që është shumë e dhimbshme, i bije që ne po e kapërcejmë pa e trajtuar siç kemi kërkuar disa nga këto aspekte. Adresimin e përgjegjësive për krimet e luftës, dëmshpërblimet e luftës, dëmet materiale, kthimin e të mirave materiale të pensioneve të qytetarëve dhe po ashtu të pronës së uzurpuara të tyre… Unë se kuptoj si mund të ketë pajtueshmëri për të kaluar trashëgiminë e së kaluarës pa i zgjedhur këto çështje fondamentale. E rëndë është edhe fjalia e tretë, ku nga njëra anë përmendet historia, në anën tjetër, palët pajtohen. Statusi i Kosovës është për ne i rëndësishëm”, ka thënë ndër të tjera ai.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.