Besart Gashi, ideatori i veprës artistike së portretit të komandantit legjendar, Adem Jashari, i realizuar në poligon nga ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në prag të Epopesë së UÇK-së, bëri të ditur se pjesë e kësaj vepre ishin gjithsej 784 ushtarë, e ku asnjëri prej tyre nuk ishin në dijeni për çfarë ishin rreshtuar në atë mënyrë.
Andaj, Gashi tregoi që pasi ushtarët e kuptuan idenë e rreshtimit, nuk kanë munguar këngët e as brohoritjet nga ana e tyre.
“Është interesant që asnjëri nga ushtarët nuk ka qenë në dijeni se çfarë po bëhet. Por, në momentin kur u kemi treguar që janë duke krijuar portretin e Adem Jasharit, ka qenë emocion tepër i madh. S’ka munguar kënga, s’kanë munguar brohoritjet, kështu që doli diçka e veçantë. Në çdo përvjetor të rënies së komandantit Adem Jashari, gjithmonë e mendoj nga një vepër arti. Kësaj radhe vendosa të bëjë një vepër arti pa financim të madh, sepse për fat të keq nuk po kam mbështetje nga institucionet përkatëse. Ideja më ka lindur tre ditë para se të postohet ky punim. I falënderoj të gjithë 784 ushtarët që kanë qenë pjesë e veprës, të cilët pa ta nuk do ishte realizuar”, rrëfeu Gashi për DTV.
I pyetur se sa kohë u është dashur ushtarëve të vendosen në vendet e tyre, Gashi tha se nuk u ka marrë kohë më shumë se 15 minuta.
Njëherit, ai tregoi se punimi ka qenë i gjatë 25 metra, ku me ndihmën e rreshterit, Vesel Rraci, ushtarët janë vendosur në pikat ku janë krijuar në mënyrë digjitale.
“Në të vërtetë ideja ka qenë të realizohet një tjetër punim me më shumë detaje, por me rregulla ushtarake nuk ishte e mundur, pasi ushtria duhej të ishte e rreshtuar vetëm drejt. Koha nuk ishte e mirë, por për fatin tonë, në ato momente ka dalë një re dhe është realizuar siç duhet”, tregoi tutje Gashi.