Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi thotë se është e rëndësishme që në takimin e 18 marsit në Ohër mes Kurtit dhe Vuçiqit, Kosova të dal me lajme të mira për vendin.
Bytyqi riktheksoi se AAK-ja vazhdon të përkrah planin franko-gjerman që është miratuar edhe nga kryeministri Kurti.
“Ne tashmë kemi përkrahur planin franko gjerman dhe po ashtu i kemi dhënë mbështetje Qeverisë Kurti lidhje me këtë plan pasi kemi vlerësuar që kjo i hapë rrugë të reja shtetit tonë në shumë aspekte. Tash ajo çfarë presim në këtë takim si në çfarëdo takimi që mbahet, është që nga këto takime të marrim lajme të mira për vendin tonë, e rëndësishmja e gjithë kësaj është që krah nesh i kemi aleatët tanë, kemi Amerikën dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha Bytyqi.
Bytyqi shton se tani është momentumi që të finalizohet dialogu, por sipas saj nuk dihet ende nëse do të ketë ndonjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk mund ta dimë këtë me siguri të plotë ndonëse pritet dhe duhet të ketë një marrëveshje pasi kjo tashmë është zgjatur shumë dhe me gjasë tashmë është momentumi që të finalizohet dialogu. Nuk është mirë të vonohet shumë dhe duhet të arrihet një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që të ecim tutje dhe ta dëshmojmë edhe njëherë se Kosova është palë konstruktive në këtë proces”, tha Bytyqi.