Telekomi kërkon përgjegjësin “për nënshkrimet ‘ceremoniale’ me pasoja katastrofale”

Telekomi i Kosovës e ka kritikuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që liroi nga akuza Shyqyri Haxën për lidhjen e një kontrate të dëmshme sa ishte kryeshef i Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Javën e shkuar, Themelorja konstatoi se nënshkrimi i kontratës nga Haxha, me “Amdocs” më 2010, nuk kishte kurrfarë detyrimi për PTK-në.

Në një reagim për media të martën, Telekomi ka dalë në kërkim të “përgjegjësit për nënshkrimet ‘ceremoniale’ me pasoja katastrofale për Telekomi dhe buxhetin e shtetit”.

“Nënshkrimi i z. Shyqyri Haxha, i hedhur në vitin 2010, saktësisht me dt.16.04.2010 në një kontratë në mes të Telekomit të Kosovës dhe ‘Amdocs Development Limited’ për sistemin e ri të faturimit në korporatë (titulli origjinal: “PTK BILLING PLATFORM”) edhe sipas Gjykatës paska qenë vetëm ceremonial. Kur kjo ofrohet si arsyetim, natyrisht nuk ka si të mos e krijojë idenë se i njëjti qenka sjellë nga grupet e interesit, në krye të Telekomit të Kosovës, pikërisht për ceremoni dhe nënshkrime për të cilat askush nuk do të jetë përgjegjës. Fatkeqësisht ky nuk është i vetmi nënshkrim ‘ceremonial’ për të cilin z. Haxha nuk pranon përgjegjësi, edhe pse nga një kontratë tjetër e tillë, Telekomi i Kosovës është dëmtuar në vlerën prej mbi 100 milionë euro. Edhe për këtë kontratë (ajo me Z-Mobile), e cila për pak e fundosi Telekomin e Kosovës, deri më sot drejtësia kosovare jo vetëm që nuk arriti të nxjerrë përfundime, por as të hetojë seriozisht, edhe pse Telekomi i Kosovës tashmë i ka dorëzuar paditë/kallëzimet penale në institucionet përkatëse të drejtësisë”, thuhet në reagimin e Telekomit.

Haxha më 2013 ishte liruar edhe nga akuza për lidhje të kontratës me Z-Mobile.

Në reagim, Telekomi ka thënë se jo vetëm në kohën e Haxhës “modeli i tillë i papërgjegjësisë ishte prezent edhe pas kohës së z.Haxha në Telekom, dhe kompania publike u dëmtua pa u marrë askush në përgjegjësi edhe pse gjykatat konstatonin se për shkak të gabimeve të zyrtarëve të TK, duheshin paguar shuma enorme, partnerëve të dikurshëm në biznes”.

“Ky model i ‘zhdëmtimit’ ende po e kërcënon Telekomin e Kosovës dhe askush ende nuk dha llogari për nënshkrimet e tyre ‘ceremoniale’. Fatkeqësisht, me këtë lirim nga akuza, mesazhi që i përcillet publikut është se paranë publike nuk po e mbron askush, se vjedhja apo keqmenaxhimi i saj lejohet dhe se askush nuk do të dënohet”, thuhet në reagim.

Telekomi ka thënë se askush nuk mund dhe nuk duhet të amnistohet për nënshkrim të hedhur në “dokumente me pasoja të rënda, apo për mospengim të kryerjes së krimit, pa e konstatuar nëse i njëjti ishte i vetëdijshëm apo ishte në gjendje të pengonte kryerjen e krimit”. Sipas Telekomit rasti i Haxhës nuk është trajtuar me seriozitetin e kërkuar. Sipas ndërmarrjes, është amnistuar njeriu kryesor i kompanisë, që sipas Telekomit, pa mandatin e të cilit askush s’ka mundur të nënshkruajë apo shkëpusë kontrata.

“Shtrohet pyetje legjitime: Kush i bartë përgjegjësitë për pasojat e këtyre nënshkrimeve ‘ceremoniale’, e në rastin me ‘Amdocs Development Limited’ kush është përgjegjës për një dëm të këtij niveli, kur kemi parasysh se kontraktori ‘Amdocs Development Limited’, as edhe një punë/detyrë të vetme kontraktuese, kurrë nuk e ka kryer/përmbushur në Telekom sipas Kontratës së nënshkruar?” thuhet tutje në reagim.

Telekomi ka thënë tutje se kryeshefi nuk bën nënshkrime ceremoniale.

“Ai është i thirrur të vlerësojë se mbi çfarë dokumenti po e hedh nënshkrimin e tij dhe çfarë pasojash mund të ketë për kompaninë që e drejton. Ai ka mandatin jo vetëm të nënshkruajë, por edhe të mos nënshkruajë nëse e konsideron të dëmshme për kompaninë. Vlerësojmë se nuk mund të shkëputet asnjë kontratë pa aprovimin/shqyrtimin e tij. Ai është përgjegjës për veprimet dhe mosveprimet e veta. Ai nuk mund të ikë nga përgjegjësia pa i emëruar përgjegjësit. Nëse e kanë detyruar duhet të tregojë, kush e detyroi, apo anashkaloi, vetëm kështu mund të lirohet nga përgjegjësia ose së paku të zbutet pjesa e tij e përgjegjësisë”, thuhet në komunikatë.

Sipas Telekomit, udhëzimi i Gjykatës që Telekomi mund të iniciojë kontestin civil në gjykatë, është “turpërim i gjyqësisë kosovare” si dhe “amniston krimin”. Telekomi e ka cilësuar këtë rast si një nga aferat më të mëdha të keqpërdorimit të parasë publike në Kosovë.

Kjo ndërmarrje ka thënë se tashmë është mbushur me dyshim se “gjyqësia kosovare nuk ka kapacitete as kurajë të merret me krimin”. Telekomi ka thënë se sistemi i drejtësisë duhet të reagojë dhe ta hetojë krimin e të zbulojë kryerësit dhe t’i dënojë për dëmet e shkaktuara ndërmarrjes.

Pas lirimit, Haxha pati akuzuar Prokurorinë se është nën ndikim të politikës.

“Kanë qenë katër raste, rast pas rasti asnjëherë as nuk ka pasur dëshmitar kundër meje, as dëshmi faktike, asnjëherë. Ka qenë ndjekje që të më pamundësohet që të veprojë në Kosovë dhe faktikisht kanë qenë konsistente. Që nga viti 2009 e deri më tash kam qenë nën hetime, nën përndjekje, rast pas rasti”, ka thënë Haxha.

Leave a Reply

Your email address will not be published.