Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburin Aliu, ka fajësuar shpronësimet për vonesën e disa projekteve infrastrukturore nëpër zona të ndryshme të Kosovës.
Në një konferencë për media të mërkurën, Aliu ka thënë se shpronësimet kanë qenë pengesa kryesore e përfundimit të projekteve për rrugën në Gllarevë, Mitrovicë – Prishtinë e atë Kievë – Dollc. Por ka theksuar se edhe cilësia e punimeve ka ndikuar në vonesën e këtyre projekteve.
“Mungesa e realizimit të shpronësimeve ka qenë një nga pengesat kryesore të këtyre projekteve. Përveç shpronësimeve, ka qenë edhe cilësia e punimeve”, ka thënë ai.
Aliu tutje ka thënë se janë të angazhuar që sa më shpejt të fillojnë punimet për rrugën Mitrovicë – Prishtinë, mirëpo ngurroi të premtonte një periudhe të saktë se kur mund të përfundonin punimet në rrugën që ka punime nga viti 2009.