Kurti vlerëson rolin e grave që folën publikisht për dhunën seksuale gjatë luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka mbajtur një fjalim mbështetës për gratë dhe vajzat në Kosovë, raporton DTV.

Kurti ka vlerësuar rolin e grave që kanë folur publikisht për dhunën seksuale që e kanë përjetuar gjatë luftës, ndërsa ka pasur fjalë edhe për kontributin e tyre në luftën çlirimtare dhe përgjatë gjithë historisë.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë të këmbëngulin që të mbijetuarave nga dhuna seksuale t’u njihet statusi, e që një gjë të tillë e ka konsideruar si proces të rëndësishëm për historinë dhe shtetin.

“Nderojmë e kujtojmë kontributin e grave në luftën çlirimtare dhe përgjatë gjithë historisë. Nuk harrojmë dhimbjen e madhe që nuk kalon dhe një plagë të madhe që shteti e ka obligim ta shërojë. Po e vazhdojmë procesin e aplikimit për njohjen e statusit të të mbijetuarave dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Një proces i rëndësishëm për historinë dhe shtetin tonë dhe një parakusht për ndërtimin e paqes në vend. Nderojmë rolin e të mbijetuarave që kanë folur publikisht për rastet e tyre, e veçanërisht Vasfije Krasniqin që është avokuese e zëshme në vendin tonë dhe ndërkombëtarisht”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se qeverisja e udhëhequr prej tij do të vazhdojë të luftojë për më shumë të drejta për gratë.

“Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, nderojmë sukseset që i kanë arritur historikisht. Nderojmë ato gra që nuk janë më. Luftojmë me gratë për shumë të drejta dhe barazi. Qeverisja jonë mbetet e përkushtuar ndaj politikave demokratike dhe sociale që lehtësojnë barrën e padrejtësive që gratë mbajnë mbi supet e tyre. Vazhdojmë betejën për barazi shoqërore dhe gjinore. Prej shtëpisë deri tek institucionet, ta bëjmë Kosovën më të barabartë”, ka shtuar Kurti.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.