Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit, me presidenten Vjosa Osmani, është drejtuar në ndërtesën e Qeverisë. Aty, Lajçak do ta takojë kryeministrin e vendit, Albin Kurti, raporton DTV.
Lajçak po qëndron sot në Kosovë, para takimi të 18 marsit që do të mbahet në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
I dërguar special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, të enjten (sot) do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.
Në takimin që pritet të fillojë nga ora 16:00, ai do të jetë me kryeministrin Albin Kurti, ku pritet të diskutohet për Udhërrëfyesin për zbatimin e Planit evropian.
Para takimit me Kurtin, Lajçak do të takohet edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në orën 14:10.
Pas Pritshtinës Lajçaku pritet ta vizitojë edhe Beogradin.
Kjo është vizita e parë e tij në Kosovë e Serbi, që nga takimi i 27 shkurt në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, që u mbajt në Bruksel.
Pas atij takimi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se ai ishte i gatshëm të firmoste dakordimin për propozimin evropian porse, sipas tij, pala serbe ka refuzuar. E presidenti i Serbisë, Vuçiq, pati deklaruar se nuk është arritur asgjë, meqë Kurti ka refuzuar Asociacionin. Megjithatë, për zyrtarët e BE-së takimi ka qenë i suksesshëm.
Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte thënë se të dy liderët janë pajtuar se më nuk ka nevojë për diskutime për propozimin e BE-së dhe se ata kanë shprehur gatishmërinë të vazhdojnë me implementimin e marrëveshjes pas diskutimeve për modalitetet e dispozitave të saj. Takimi i radhës në mes të Kurtit e Vuçiqit pritet të mbahet më 18 mars në Maqedoninë e Veriut.