/

Qytetarët me opinione të ndryshme për liberalizimin e vizave

Këshilli i ministrave të BE-së ka votuar pro liberalizimit të vizave, e qytetarët po e mirëpresin këtë votim, raporton DTV.

Ata e kanë parë liberalizimin e vizave si sukses për Kosovën, teksa janë shqetësuar se kjo mund të sjell ikjen e të rinjve. Ndërsa, ka pasur edhe nga ata që premtimin e BE-së për viza nuk e kanë besuar.

Ish ministri i Financave, Haki Shatri, për DTV, ka thënë se ky vendim është I mirë dhe se ka shumë përparësi për lirinë e lëvizjes. Sipas tij në këtë kohë të globalizimit njerëzit kanë nevojë të qarkullojnë pa pengesë.

“Është kryer edhe një fazë në rrugën drejt liberalizimit të vizave që pritet deri kah fundi i vitit të përmbyllen. Mendoj që është mirë për shumë njerëz se kemi nevojë të udhëtojmë jashtë në kohën e globalizimit, kohën e integrimeve ekonomike. Njerëzit kanë nevojë të qarkullojnë pa pengesë për qytetarët tanë ka qenë ngarkesë e shtuar edhe si shpenzim edhe si procedura. Shumëkush ka pas nevojë edhe për shërim, për punë, ka familjarë, ka fëmijët ose prindërit i ka atje e kështu do të thotë është një punë e mirë që i ndodhë Kosovës, pas kësaj pritjeje të gjatë”, tha Shatri.

Por ai theksoi se është edhe një rrezik, e që sipas tij, nuk është i këndshëm, e që është largimi i të rinjve nga vendi.

“Në anën tjetër ka një rrezik i cili nuk është shumë i këndshëm për neve, çështja e largimit nga vendi sidomos të rinjve. Zbrazja e vendit është e dëmshme, kjo në qoftë se bëhet masovike, dhe siç po shihet po, për shkak të rrethanave ekonomike, papunësisë, problemeve ekonomike të shumëfishta njerëzit po largohen dhe vështirë po kthehen”, tha Shatri.

E Ismet Fazliu, një qytetar tjetër, tha se shpreson që të ndodhë liberalizimi dhe të mos anulohet pasi me bisedimet që po bëhen mund të keqësohet gjendja.

“Unë nuk kam informata që ka diçka për deri në fund të vitit edhe që kanë premtuar. Te ne nuk është situatë kumeditë sa premtuese që me u liberalizu vizat se s’po di tash me këto bisedime çka do të ndodhë. Mund të keqësohet gjendja prapë edhe anulohet, ka gjasa që të anulohet krejt, nuk pres prej Evropës diçka pozitive edhe pse kanë premtuar”.

“Mirë është lëvizja e njerëzve me u bë prindërit me shku me i vizitu fëmijë e vet më lehtë e më shkurt me procedura të shkurtra. Kush don e provon fatin edhe për punë edhe për shkollim, dikush dhe ka mundësi të mëdha, me i hypë autobusit me shku drejt, ajo është përparësi e madhe për gjithkënd”, tha Fazliu për DTV.

Ndërsa, Nebih Mehmeti tha se liberalizimi i vizave është sukses I vendit  dhe shpreson se do të ndodhë.

“Po normal mirë është për Kosovën, është sukses për Kosovën. Po shpresojmë, besojmë se po me shpresa, po besojmë që po”, tha Mehmeti për DTV.

Leave a Reply

Your email address will not be published.