Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se partia e tij është kundër ngritjes së tarifave të energjisë elektrike.
Ai ka thënë se në prag të vendimmarrjes nga ZRRE-ja për ngritjen e tarifave për 14 për qind, PDK-ja kërkon që kjo të mos ndodhë duke shtuar se kjo rritje është e papërballueshme dhe nuk duhet të ndodhë.
“Jemi këtu për shkak të ndërhyrjeve politike në Rregullator. Jemi këtu sepse kemi keqmenaxhim të skajshëm të KEK-ut. Më 7 mars në Komisionin për Ekonomi kemi mbajtur një takim me përfaqësues të ENTSO-E vërejtjet ishin ekstreme si asnjëherë tjetër. Për financat e KOSTT-it, për çmimin e lartë që paguajmë si Kosovë për penaltitë. Nuk ka rast më të rëndë se kur përfaqësues të ENTOS-E na thonë që jemi rast ekstrem si pikë e zezë në Evropë. Paralajmërimet e tilla duhet të jenë shqetësuese. Ju lutem reflektoni dhe veproni. Në emër të PDK ua ofrojmë mbështetjen për të dalë nga këtu por jo në këtë formë siç jeni duke bërë”, ka thënë ai.