AAK paralajmëron protesta për rritjen e çmimit të energjisë: Kjo rritje, qytetarin e vendos në varfëri te skajshme

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur konferencë për media në lidhje me paralajmërimet e ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike për 14%, që nga 1 prilli, raporton DTV.

Deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, tha se rritja e çmimit të rrymës është një lajm shokues për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe bizneset, teksa dha katër arsye pse ajo nuk duhet të ndodhë.

“Arsyeja e thirrjes së konferencës ka të bëjë me paralajmërimin dhe tentimin e qeverisë për rritjen e çmimit të rrymës elektrike. Ky është një shok lajm për të gjithë qytetarët e Kosovës, bizneset dhe ndërmarrjet e vendit, dhe për të gjithë ne si spektër politik”, tha ai.

“Janë disa arsye pse ne mendojmë që kjo nuk duhet të ndodhë. E para, duke marrë parasysh subvencionet e ndara nga qeveria vitin e kaluar për zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimit të energjisë, nuk shihet e arsyeshme të ketë ritje të dytë të çmimit dhe aq më pak të ndodhë të ketë rritje në vlerë prej 14%. Madje ne kemi pritur ulje apo kthim të çmimit të tarifave të vjetra, e jo rritje të dytë”.

“E dyta, Qeveria Kurti vitin e kaluar subvencionoi bizneset, ndërsa konsumatorëve familjarë pavarësisht subvencionit ju rriten tarifat për më shumë se 100%. Pra, pësuan shumica e qytetarëve, sepse zgjidhjet nuk ishin adekuate”.

“E treta, KEK-u është në gjendje stabile, ku ka eksportuar miliona euro energji, dhe nëse kjo energji e eksportuar nga KEK nuk zbërthehet në të mirë të qytetarëve, cila është arsyeja e rritjes së çmimit të energjisë”, tha ai.

“Dhe katër jemi në stinën e pranverës në fillim të vitit 2023 dhe Qeveria ka hapësirën kohore e buxhetore që të lidhë marrëveshje me shtetet fqinje për shit-blerje të energjisë, dhe që përmes mirëmbajtjeve, renovimit dhe rregullimit të gjeneratorëve e sistemit elektro-energjetik, të krijojë stabilitet shtetëror, ku Kosova do të sigurohet në aspektin e energjisë për vitin 2023-2024”, tha Lekaj.

Lekaj ka paralajmëruar edhe protesta nëse ndodhë shtrenjtimi i rrymës, pasi që sipas tij, kjo rritje do t’i vendos qytetarët në varfëri të skajshme.

Mes tjerash, Lekaj ka thënë se me të drejtë shtrohet pyetja jonë si përfaqësues të popullit se cila është arsyeja e propozimit nga qeveria dhe ZRrE-së për rritje të çmimit?

“Qeveria duhet ta dijë që qytetarët e vendit janë të lodhur nga shtrenjtimi i secilit artikull dhe jetesa është bërë e vështirë, ku një familje nuk po mundet ta sigurojë as shportën familjare. Vetëm të mendosh edhe një rritje tjetër te çmimit te energjisë nuk është normale dhe as e arsyeshme”.

“Nëse ndodh kjo rritje, qytetarin e vendos në varfëri te skajshme dhe në luftë për ekzistencë e mbijetesë. Nëse ndodhë kjo rritje, atëherë qëllimshëm po nxitet dhe stimulohet edhe më shumë ikja e qytetarëve nga vendi”, është shprehur Lekaj.

Ai tha se AAK-ja është kategorik kundër dhe nuk do të lejojnë rritjen e çmimit.

“Prandaj, mbi këto që thashë, ne si AAK jemi kategorik kundër kësaj rritje dhe nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë”, ka përfunduar Lekaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.