Të dy liderët janë të informuar se nuk mund të dalin nga korniza që kanë përcaktuar 27 shtetet e Bashkimit Evropian.
Kanë qenë dhjetë vite në pritje dhe humbje kohe për të ndërtuar një status quo, të cilën e kanë vuajtur miliona qytetarë të Kosovës. Edhe pse të dy liderët kanë bërë lojën për ta fajësuar tjetrin, loja ka fundin e saj.
S’ka fajtorë, ka vetëm nënshkrim të dokumentit për normalizim.
Kërkesa për të drejta, për vetëqeverisje dhe për autonomi duhet të jetë në çdo rast dinamike.
Ajo nuk bëhet një herë dhe më pas përfundon vetvetiu, por vijon duke evoluuar në përthithjen e më shumë të drejtave dhe integrimit, pa u mbyllur ndonjëherë
Thënë kjo, po në mënyrë aq të vazhdueshme, dalin problematika të reja dhe në kohë duhet të gjenden rregullime të reja që i përshtaten pengesave që rrugës krijohen.
Prandaj, Kurti dhe Vuçiç s’duhet të bëhen më të rëndësishëm se sa fuqia e tyre.
Vuçiç vetë, nuk duhet të tregojë se duke qenë i vrazhdë dhe i ngurtë, do të lerë përshtypje se dialogu nuk i duhet për autonomi dhe të drejta të serbëve të Kosovës, por i duhet për shtetin serb, që ky i fundit të krijojë probleme në Kosovë.
Ndërsa Kurti nga ana tjetër, nuk duhet të krijojë përshtypjen se nëse vendoset tani për një çështje, do të mbyllet historia e të drejtave të serbëve dhe shteti i Kosovës nuk do të lëvizë asnjë hap nga nënshkrimi që mund ta vendosë.
Thjeshtë, dialogu nuk është një mënyrë e ngurtë e komunikimit. Në jetën politike dhe sociale është i rëndësishëm një dialog dhe pajtim i vazhdueshëm, që nuk ndërpritet asnjëherë.
Çelësi i funksionimit nuk është vetëm pajtimi i dy shteteve.
Për shembull, nga 15 rastet e propozuara nga BE, një rast i Italisë dhe Austrisë nuk është çështje vetëm e dy shteteve, por i rëndësishëm është krijimi i mekanizmave që i përshtaten njerëzve që e popullojnë lokalitetin.
Çështja është që Serbia dhe Vuçiç po kërkojnë përtej saj. Nuk po synon asociacion për nevoja të serbëve në Kosovë, por për nevoja të veta.
Edhe Kryeministri Kurti duhet të qartësojë frikën me veten, sepse nuk është problemi të gjetja e modaliteteve kur ka mirëbesim.
Autonomia dhe të drejtat e popullatës nuk bëhen që një territor të shkëputet. Pikërisht, e kundërta është e vërtetë.
Autonomia dhe të drejtat bëhen që të krijohen kushtet që të mos ketë shkëputje.
Ndaj ka ardhur fundi dhe koha po mbaron për të dy liderët.
Nëse nuk duan ta bëjnë, nuk kanë zgjidhje dhe as zgjedhje. Prapë duhet ta bëjnë…
Publiku i gjerë në Serbi dhe në Kosovë duhet ta dijë që publikimi i tekstit të marrëveshjes në faqen zyrtare të BE-së, i bërë pas dakordimit të palëve, i cili nuk ka nevojë për diskutime shtesë rreth tekstit, nënkupton që kornizimi i procesit të normalizimit është përmbyllur.
Preambula dhe 11 nenet e marrëveshjes, që nga orët e vona të 27 shkurtit, janë edhe zyrtarisht korniza e re e normalizimit të marrëdhënieve.
Kjo kornizë do të udhëheqë rrugën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që nga tani, pra marsi i vitit 2023, e deri në anëtarësimin e plotë të të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Ky është një qëndrim i fortë evropian, i të 27 shteteve, një unitet i paprecedent i të gjitha shteteve anëtare, dhe që ka përkrahjen e plotë të të gjitha vendeve të NATO-së, pra edhe të SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe të Turqisë.
Edhe në rast të zvarritjes evetuale nga ana e palëve, për t’u dakordësuar rreth aneksit të implementimit, kjo kornizë e normalizimit do të konfirmohet nga liderët e shteteve të BE-së, në samitin e tyre të radhës.
Ky konfirmim do të shënojë fundin e të gjitha dilemave mbi seriozitetin dhe unitetin e brendshëm të BE-së karshi Ballkanit Perëndimor. Natyrisht, këtu jep vulën e saj edhe Amerika, e cila nuk është ndarë asnjëherë nga përkrahja për fundin e këtij dialogu.
Hapat në vijim, thotë burimi ynë i përhershëm, që përcaktoi prej kohësh logjikën dhe rrugën politike të dialogut, pa huqur asnjëherë kohën, drejtimin dhe kornizën e qartë të suksesit, duke parashikuar qartë fundin e tij:
Ndërmjetësit, të përfaqësuar nga Lajçak, duhet të sigurojnë pajtimin e palëve, pra të Serbisë dhe të Kosovës, mbi dy gjërat e fundit që po e prolongojnë procesin.
Dhe, për të dy liderët ka porosi të qartë. Ata nuk mund të dalin nga shkronjat e nënshkruara dhe të gjitha tashmë janë të përfunduara në formë dhe përmbajtje.
Njëra porosi, thotë ky burim, ka të bëjë me kryeministrin Kurti.
Për Kosovën konfirmimi nga ana e kryeministrit Kurti ka të bëjë me përmbushjen pritshmërive të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara rreth themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
Fjala kyçe këtu është “kryeministri Kurti të përmbushë pritshmëritë”, thotë burimi.
Kjo qartë nënkupton gatishmërinë e tij për të firmosur marrëveshjen sepse Qeveria e Kosovës e ka rikonfirmuar obligimin për ta themeluar Asociacionin/Bashkësinë.
Pra çështja a do të ketë apo nuk do të ketë Asociacion/Bashkësi është çështje e mbyllur. Pritshmëritë tona, thotë ky burim, janë që ky Associacion/Bashkësi duhet të themelohet në përputhje të plotë me marrëveshjen e vitit 2013 dhe brenda kontureve të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, gjithnjë duke i bërë një lexim të drejtë dhe të saktë, e jo duke interpretuar modele të lindjes.
Kurti duhet ta ketë të qartë se propozimet e vendosura në tavolinë nënkuptojnë të drejtat bazike për qytetarë jo shqiptarë.
Bujaria në pranimin e të drejtave, duke ruajtur identitete kombëtare krijon bazën e bashkëjetesës paqësore.
Kurti duhet të largojë frikën e asimilimit me bazë të mirë ligjore duke krijuar mbrojtjen e të drejtave, duke krijuar bashkinë dhe besimin ndaj njeri-tjetrit. Kështu mendojnë ndërkombëtarët nga përvoja e tyre që kanë krijuar ndër vite me këto probleme.
Kurti duhet të mësojë nga këta shembuj se bujaria e shumicës ndaj pakicës është ndjeshmëri e veçantë për të shkuar më tutje. Për një bashkëjetesë paqësore.
Edhe pse duket e pabesueshme, tek e fundit, detyra e atij që është fitues, lidhet me të bërin e kompromisit të madh.
Kompromis, strukturë ligjore, të drejta, vullnet politik dhe ta bindë shoqërinë dhe votuesin e tij pse kjo është më e mira.
Ky burim ndërkombëtar, është shumë i qartë dhe i bindur, se Kushtetuta e Kosovës është, siç e quan ai, Rolls Roys nga të gjitha kushtetutat ndërkombëtare.
Prandaj, nuk duhet pasur frikë nga të drejtat e shumta, përkundrazi duhet të ketë frikë nga mungesa e të drejtave.
Në procesin e normalizimit, Vuçiç duhet ta ketë të qartë se ekziston përcaktimi i një, le të themi, kodi obligues të sjelljes së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, gjegjësisht të hapave konkretë që mund të marrë Kosova dhe durimit të domosdoshëm që duhet treguar gjatë këtyre hapave.
Qëllimi i kornizës evropiane të normalizimit të marrëdhënieve nuk është rruga drejt OKB-së, por është rruga drejt BE-së dhe organizatave të tjera evropiane, pra Këshilli i Evropës, NATO dhe të tjera.
Përmbajtja e nenit 4 nuk do të ndryshojë, por, në aneksin e implementimit, Kosova duhet të zotohet që t’i qëndrojë besnike rrugës drejt institucioneve evropiane dhe të tregojë durim sa i përket OKB-së.
Kjo është e domosdoshme. Koha ka treguar se institucionet evropiane dhe kupola e sigurisë së NATO-s është më e rëndësishme se OKB. Ukraina është arsyeja më e freskët për të besuar.
Dhjetë vite kemi humbur në betejën në mes tradhtarëve dhe patriotëve. Nuk kemi kohë edhe për një betejë që s’ka kuptim.
Por kur të përfundojë e gjithë kjo kemi kohë për të adresuar fajësinë dhe ndërgjegjen e munguar politike në kohën post pavarësisë.
Për ta përfunduar desha të përkujtoj një thënie në muzeun e Irlandës, ku në procesin e paqes ishte koha për të vendosur nënshkrimin.
“Ta vendosim nënshkrimin dhe të provojmë paqen dhe besimin për të ardhmen. Nëse kjo nuk bëhet dhe tregohet e pamundur, gjithnjë kemi kohë t’i kthehemi të kaluarës atë që dimë më së miri ta bëjmë. Ajo dihet çka është. Ta vrasim njëri-tjetrin”.
Po ndodhi kjo, është lajm i keq për shqiptarët dhe serbët. Fajtorë do të jenë Kurti dhe Vuçiç që nuk i dhanë rast paqes.
Sepse paqja është më afër, thotë burimi ynë, sepse s’ka rrugë tjetër paqja, edhe për faktin se BE s’ka kohë të humbë më duke na lënë në luftë dhe në duar të liderëve të papërgjegjshëm.
Këtë herë kemi vetëm një rrugë, pa kthim. Të vendosin të dyja imazhin e paqes.