Drejtori i Institut Epik, Demush Shasha ka komentuar Pulsi Publik të UNDP-së, i cili flet për mbështetjen e qytetarëve të Kosovës ndaj liderëve institucionalë. Ai ka thënë se nga ky puls mund të nxirren tre mesazhe kyçe.
Shasha në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se kryeministri Albin Kurti duhet të brengoset me rënien e kënaqshmerisë së qytetarëve me qeverinë e tij.
“Pulsi Publik i mbështetur nga USAID dhe UNDP ofron çdo herë kontribut të rëndësishëm në inkurajimin e një debati empirik publik mbi zhvillimet kyçe në shoqërinë tonë. Në këtë drejtim janë tre mesazhe kyçe nga pulsi i fundit publik: 1. Lidershipi institucional i vendit (Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Kuvendit) ende gëzon mbështetje të konsiderueshme qytetare, ndonëse kjo përkrahje është në trendin e rënies. 2. Kryeministri Kurti ka arsye për brengosje. Sot kënaqshmeria e qytetarëve me z. Kurti është pothuaj e barabartë me kënaqshmerinë e qytetarëve me z. Haradinaj në kohën kur ai është emëruar Kryeministër. 3. Përderisa qytetarët janë të kënaqur me drejtimin politik të vendit ata janë të pakënaqur me drejtimin ekonomik të vendit. Thënë ndryshe sot qytetarët janë më pak të kënaqur me drejtimin ekonomik të vendit nga z. Kurti se në pjesën e parë të mandatit të z. Haradinaj.”, ka shkruar Shasha.