Mitrovica në pritje për kompensimin e dëmeve nga vërshimet, shpall tender për intervenime në raste emergjente

Mitrovica siç duket e ka mësuar mësimin nga vërshimet e janarit, që shkaktuan dëme të mëdha në këtë komunë, pasi është shpallur një tender për intervenime emergjente për fatkeqësi natyrore ose të tjera. Nënkryetari i kësaj komune, Arian Tahiri, thotë se ky tender është shpallur që t’i paraprihet vërshimeve në të ardhmen.

Komuna e Mitrovicës ka shpallur tender për “Intervenime Emergjente për Fatkeqësi Natyrore dhe Fatkeqësi tjera ose fatkeqësi që mund të klasifikon si ekstreme nga forcat madhore”.

Kohëzgjatja e kësaj kontrate është 36 muaj, ndërsa vlera e parashikuar e saj është 400 mijë euro.

Afati i fundit për pranimin e tenderëve është 3 prill, ora 13:30 përmes E-Platforma, e më pas do të zgjidhet operatori ekonomik me ofertën me çmimin mëtë ulët.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Arian Tahiri, në një prononcim për DTV-në tha se ky tender është shpallur për intervenime që t’i paraprihet vërshimeve në të ardhmen.

Dëmi gjatë vërshimeve të janarit, në Mitrovicë ka shkuar në 8 milionë euro. Raporti me detajet dhe shumën e dëmeve është miratuar në asamblenë komunale. Për këtë Tahiri thotë se po presin kompensimin nga Qeveria.

“Në bazë të raportit të draftuar në asamblenë komunale, vlera është 8 milionë euro. Poashtu është edhe raporti i lagjes së Boshnjakëve që është nën administrim të komunës së Jugut. Raporti me dëme është miratuar në asamblenë komunale dhe tash presim kompensimin e dëmeve nga Qeveria e Kosovës. Tenderi është shpallur për intervenime që t’i paraprihet vërshimeve në të ardhmen”, tha Tahiri.

Si pasojë e vërshimeve, më 19 janar, Mitrovica kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Po atë ditë, kryetari Bedri Hamza, ishte deklaruar për DTV.

“Gjendja në Mitrovicë është alarmante. Ne e kemi mbledh shtabin emergjent dhe kemi shpallur gjendje emergjente. Prej orëve të hershme të mëngjesit jemi në terren, tu bë përpjekje me i ndihmu njerëzve dhe me iu qëndru afër. Ka familje që është dasht me i evakuu, numri i tyre është i konsiderueshëm. Prej momentit në moment po rritet numri i familjeve që po kanë nevojë për me i evakuu. Lumi ‘Ibri’ dhe ‘Lushta’ kanë dalë prej shtratit dhe kanë vërshu një pjesë të madhe të fshatrave në rrethinën e Mitrovicës por edhe qytetin”, kishte thënë Hamza.

Përveç Mitrovicës, dëme të mëdha pati edhe në komunën e Skenderajt, Podujevës, Istogut, Pejës e Junikut.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.