Besfort Krasniqi, sekretari i përgjithshëm i posa zgjedhur i Universitetit të Prishtinës është denoncuar për ngacmim seksual ndaj një punëtoreje të këtij fakulteti.N.N e ka denoncuar në polici Krasniqin, për ngacmim seksual, me datë 12 qershor të vitit 2022.
Sipas dosjes së këtij rasti, i dyshuari nga viti 2013-2014, sa ishte sekretar në Fakultetin Filologjik, gjithnjë sipas denoncueses e ka ngacmuar viktimën me fjalë të ndryshme, si dhe duke e prekur me duar në pjesë të ndryshme të trupit.I dyshuari Besfort Krasniqi, sipas punëtores së Fakultetit Filologjik, ngacmimet i kishte filluar kur kishte marrë detyrën si sekretar i Fakultetit Filologjik.
E dyshuara në deklaratën e saj në polici ka thënë se në momente të caktuara ka tentuar ta prek me duar në pjesë të ndryshme të trupit, e po ashtu sipas palës së dëmtuar ka pasur raste kur ka hyrë brenda zyrës së Besfortit, i njëjti e ka mbyllur derën me çelës dhe ka filluar ta prekë atë, ta mbështesë për muri, mirëpo e dëmtuara nuk ka dëshiruar. Po ashtu, sipas deklaratës së dhënë në polici nga N.N., ai e ka ngacmuar atë edhe përmes Viber-it, ku i ka shkruar.
Sipas saj, kjo gjendje ka vazhduar për vite të tëra dhe se ajo është frikësuar ta lajmërojë rastin me kohë, pasi është frikësuar se do ta largojë atë prej pune.
Ndërkaq, sekretari i posa zgjedhur i UP-së, Besfort Krasniqi në deklaratën e tij dhënë në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, ka mohuar ngacmimet ndaj viktimës, duke thënë se me viktimën ka raporte kolegiale shumë të mira dhe se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe se me të ka pasur biseda kolegiale në Viber.Lidhur me rastin e dëmtuara në deklaratën e saj ka thënë se i ka treguar edhe dekanes së Fakultetit Filologjik, Lendita Rugova, e cila sipas saj ka qenë në njohuri.
Në dokument thuhet se dekanja Rugova është ftuar në stacion për të dhënë dëshmi, por që e njëjtë ka prezantuar dokumentet se vuan nga një sëmundje dhe në konsultim me prokurorin kujdestar ajo nuk është futur në lëndë për shkak të gjendjes së saj.Ndërsa, i dyshuari Krasniqi në dëshminë e tij ka thënë se nuk është thirrur asnjëherë për të biseduar për këtë çështje nga dekanja e fakultetit.
Ai ka mohuar të gjitha akuzat që i ngarkohen nga pala e dëmtuar, duke shtuar se kjo ankesë ndaj tij ka ardhur në kohën kur ai është në proces të konkursit ku ai është kandidat kryesor për Sekretar të Përgjithshëm të UP-së.Lidhur me rastin, DTV ka kontaktuar me Avdullah Hoti avokatin e të dyshuarit, Besfort Krasniqi, i cili tha se nuk ka çfarë të flasë për rastin, pasi deklarohet vetëm për organet e drejtësisë.
Krasniqi, i cili sot u zgjodh sekretar, ka marrë më së shumti pikë nga komisioni vlerësues në konkursin e rihapur në tetor të vitit të shkuar.