Ambasadorja amerikane në Maqedoninë Veriore: SHBA-ja e vëzhgon takimin në Ohër

Pasi ka përfunduar të gjitha takimet në Beograd dhe në Prishtinë, emisari amerikan Gabriel Escobar, udhëton për në Ohër, ku do ta vëzhgojë takimin mes Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit serb, Aleksandër Vuciq.

Ambasadorja amerikane në Maqedoninë Veriore, Angela Aggeler, ka njoftuar se shteti i saj e vëzhgon takimin, të cilin e ndërmjetëson Kryediplomati evropian, Josep Borrell.

“Shtetet e Bashkuara fuqishëm e përkrahin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe Zëvendësndihmës-Sekretari Gabriel Escobar do të jetë në Ohër, si vëzhgues i këtij procesi”, thuhet në një postim të diplomates amerikane.

Për arsye që nuk dihen, takimi mes Kurtit dhe Vuciqit është zhvendosur nga Brukseli në Ohër. Ambasadorja amerikane thotë se Maqedonia Veriore, duke pritur këtë takim, dëshmon rolin pozitiv të saj në rajon.

“Roli i Maqedonisë Veriore si nikoqire e këtij takimi të rëndësishëm nënvizon udhëheqjen e saj pozitive në rajon”, thuhet në njoftimin e ambasadores.

Kurti dhe Vuciq takohen nesër për të diskutuar rreth zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve, të cilin e kanë pranuar në takimin e kaluar më 27 shkurt, në Bruksel.

Leave a Reply

Your email address will not be published.