Kundërshtimi i planit evropian nga LDK dhe PDK – revansh, mbështetja nga AAK – për “të larë borxhin”

Marrëveshja evropiane, e cila synon normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, po kundërshtohet nga dy partitë opozitare më të mëdha në vend, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Teksa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), po e mbështet atë, raporton DTV.

Mirëpo, sipas njohësve të çështjeve politike, nëse marrëveshja nënshkruhet dhe sillet në Kuvend për ratifikim, ajo do ta ketë edhe votën e këtyre partive. Sipas tyre, ky kundërshtim është i karakterit të politikave ditore, e në njëfarë forme edhe revansh ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, e cila më herët i ka penguar qeveritë e tyre në procesin e dialogut.

Profesori i çështjeve politike, Dritëro Arifi, tha për EO se partitë politike në vend duhet të kenë një qëndrim unanim për politikën e jashtme, e në këtë rast edhe për çështjen e dialogut, përkundër faktit se demokracia është “shumëngjyrëshe”.

Ai konsideron se problemi kryesor nuk është te kundërshtimi i opozitës, por te Qeveria, për mos-transparencë si dhe për degradimin e marrëveshjes në “çështje teknike”.

“Jo vetëm për këtë marrëveshje, por për çdo marrëveshje që ka të bëjë me politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, në këtë rast dialogun Kosovë-Serbi, do të duhej unanimisht një qëndrim politik i përbashkët. Prapë se prapë demokracia është shumëngjyrëshe edhe lejohen disa qarje të vogla”.

“Problemin nuk e shoh tek opozita, sa e shoh tek Qeveria e Kosovës e cila nuk ka qenë shumë transparente në disa pika dhe tash ka mbetur që marrëveshja të diskutohet për çështjet teknike. Pra, ende nuk kemi një finalizim të marrëveshjes në aspektin ligjor, pra të nënshkrimit, edhe të planit edhe të aneksit. Opozita duke e ditur këtë vakum, mandej edhe bëjnë kinse janë kundër, por në parim opozita nuk do ta kundërshtojë nëse një marrëveshje e tillë vjen në Kuvend”, tha ai.

Sa i përket pranimit të marrëveshjes nga AAK-ja, Arifi u shpreh se kjo parti po mundohet “t’i lajë gjynahet që i ka bërë më herët” duke iu referuar çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

“Nëse flasim në zhargonin popullor, themi se AAK-ja po mundohet t’i lajë gjynahet që i ka bërë më herët, në sensin e vonimit të ligjit për Demarkacionit. Në një formë AAK-ja e ka kuptuar që politika botërore nuk i pyet shtetet e vogla, në këtë rast superfuqitë nuk diskutojnë. Kemi thënë se plani evropian nuk është diskutuar, vetëm është lënë në tavolinë dhe është pranuar nga të dyja palët. Pikërisht AAK-ja e ka kuptuar që fuqitë e mëdha nuk negociojnë por imponojnë vendime politike të balancuara për të dyja palët”, tha ai.

Durajet Imeri, ligjërues i shkencave politike, tha se kundërshtimi i kësaj marrëveshjeje nga partitë opozitare tregon për raportin e tyre me partinë në pushtet, sidomos për shkak të së kaluarës.

Përmes kundërshtimit, siç tha Imeri për EO, dy partitë kryesore opozitare PDK dhe LDK synojnë të theksojnë vështirësitë që kanë pasur në të kaluarën nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Janë dy tema të ndara. Tema e parë është se partitë politike e mbajnë një qëndrim të caktuar që lidhet me perspektivën e tyre për dialogun, rrjedhimisht edhe raportin e tyre me partinë në pushtet. Kjo tregon për raportin real që ka opozita me pushtetin edhe për shkak të historive se si dialogu është përdorur politikisht nga palët. Prandaj, tash këto parti opozitare synojnë që përmes kundërshtimeve të kësaj natyre të tregojnë për vështirësitë që dikur kanë pasur në të kaluarën dhe se si Lëvizja Vetëvendosje ka ushtruar një funksion opozitar të caktuar në kohën kur ato kanë qenë në pushtet dhe është negociuar me Serbinë”.

Mirëpo, edhe sipas Imerit, partitë nuk do ta kundërshtojnë marrëveshjen në Kuvend, posaçërisht nëse ajo pasqyron qëndrimin e ShBA-së, teksa e quajti këtë kundërshtim një formë revanshi ndaj partisë në pushtet.

Përmes kundërshtimit, sipas tij, partitë po mundohen edhe që të faktorizohen tek ndërkombëtarët.

“Është njëfarë revanshi i vogël politik. Nuk konsideroj që do të jetë i gjatë dhe nuk konsideroj që do të has në vështirësi zbatimi i marrëveshjes potenciale që Kosova me Serbinë mund të nënshkruajë. Prandaj dëshirojnë që përmes këtij kundërshtimi momental edhe të faktorizohen pak, te palët ndërkombëtare, te ambasada amerikane, te përfaqësuesit e tjerë. Pra, më shumë janë të karakterit të politikave ditore sesa një kundërshtim real”.

“VV-ja dikur ka përdorur opozitën për ta penguar këto procese dhe tash është radha e këtyre partive për t’ju revanshuar VV-së për narrativën që është ndërtuar në raport me dialogun. Nuk besoj që do të ketë parti politike shqiptare që nuk do ta respektojë marrëveshjen nëse kjo do të ishte qëndrimi i SHBA-së”, përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.