Refuzohet kërkesa për paraburgimin e zyrtarëve të “Ambientit”, të dyshuar për korrupsion

Gjykata Themelore në Pejë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kompanisë “Ambienti”, të cilët ishin arrestuar ditë më parë nën dyshimin për korrupsion dhe vepra tjera penale.

Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Pejë përmes një njoftimi për media ku thuhet se: “Gjykata Themelore në Pejë, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.M, për shkak të dyshimit për veprat penale deklarimi i rremë nën betim, legalizimi i përmbajtjes së rreme dhe keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ndaj të pandehurve SH.G, F.A dhe I.B, për shkak të dyshimit për vepër penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar si dhe kërkesën për caktim të masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve N.A, D.B dhe A.J, për shkak të dyshimit për vepër penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjykata, ndaj të pandehurve A.M, SH.G dhe F.A, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh ndërsa, ndaj të pandehurve I.B, N.A, D.B dhe A.J, ka caktuar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, meqë ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se është e bindur se me masat e caktuara mund të arrihet qëllimi i shmangies së rrezikut të asgjësimit, ndryshimit të provave, ndikimit në dëshmitarë si dhe mund të pengohet rreziku i përsëritjes së veprave penale.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

 

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.