27 milionë euro projekte të parealizuara nga KOSTT-i, edhe pse ishin prioritet i ZRrE-së

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit të performancës për projektet kapitale të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), përgjatë viteve 2015-2021, me ç’rast u përmenden të gjeturat, rekomandimet dhe statuti i veprimit.

Nga ky raport doli se projekte në vlerë prej 27.4 milionë eurosh nuk janë realizuar nga kjo ndërmarrje, edhe pse ishin prioritet për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, raporton DTV.

Deputeti i Vetëvendosjes, Halil Thaçi, i cili u caktua si deputet raportues, tha se kjo ndërmarrje publike është tërësisht në pronësinë e Kuvendit të Kosovës, teksa përmendi moskryerjen e disa kontratave dhe joefikasitetin e disa aktiviteteve.

Tutje, Thaçi tha se Zyra e Auditimit për këtë ndërmarrje ka 12 rekomandime.

“Projektet në vlerë prej 27.4 milionë eurosh nuk janë realizuar ende edhe pse kanë qenë me prioritet për Zyrën e Rregullatorit të Energjisë. Menaxhimi i zbatimit të disa kontratave në KOSST nuk është kryer me rregull. Disa nga aktivitetet e prokurimit kanë qenë joefikase. KOSST, qysh nga viti 2016 është në organizatën ndërkombëtarë. Janë gjithsej rreth 12 rekomandime të gjetura nga Zyra e Auditimit”, tha Thaçi.

Jeton Mehmeti, kryesues i bordit të KOSTT-it,  tha se bordi i drejtorëve të KOSTT-it është emëruar në gusht të vitit 2020, mirëpo se nga viti 2018 nuk ka pasur bord dhe kjo ka pasur efekt në mosrealizimin e aktiviteteve.

“Bordi i drejtorëve në mbledhjen 135/22 të mbajtur në gusht të vitit 2022 ka shqyrtuar rekomandimet e raportit të auditimit e Zyrës Kombëtare dhe ka aprovuar planin e veprimit për zbatimin e veprimeve sa i përket raportit. Plani i veprimit i cili brenda afatit të paraparë është dorëzuar në ZKA, brenda 30 ditësh, është dorëzuar me datën 26 gusht 2022 dhe pas kësaj ne kemi raportuar Kuvendit”, tha Mehmeti.

Ndërsa, Alban Imeri, drejtor i Departamentit të Zhvillimit të Rrjetit dhe Projekteve në KOSTT tha për DTV se po vazhdojnë të jenë në ato pozita të cilat kanë qenë para auditimit.

“Sigurisht që për çdo ndryshim në kontratë duhet të bëhet arsyetimi, dhe për këtë duhet të jetë menaxheri i projektit. Auditimi është zhvilluar për të gjitha investimet kapitale, për të gjitha projektet kapitale në KOSST dhe jo vetëm për departamentin tim”, tha Ymeri.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.