Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgim prej një muaji ndaj një të dyshuari për rastin e vrasjes së një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve në një hotel në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Mbi të pandehurit M.M dhe A.M rëndon vepra penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” ndërsa për secilin veç e veç vepra “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i pa autorizuar i armëve”, njofton DTV.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin M.M e ka refuzuar ndërsa për të pandehurin A.M kërkesën e prokurorisë e ka aprovuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
“Gjyqtari i Procedurës Paraprake, pas dëgjimit të prokurorit të shtetit, të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre, për caktimin e masës së paraburgimit, vlerësoj se kërkesa e prokurorit të shtetit sa i përket të pandehurit A.M është e bazuar sepse janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 184, paragrafi 1, në paragrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit të Procedurës Penale, ndërsa sa i përket të pandehurit M.M, në mungesë të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, kërkesa e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit është refuzuar, si e pa bazuar”.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.