Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili dje tha se “ Kosova e ka obligim që menjëherë të fillojë me zbatimin e pjesës së Marrëveshjes që lidhet me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
Kurti tha se nuk bën të barazohet fjala “komunitet me fjalën komunë apo Asociacion”, duke shtuar se nuk janë e njëjta gjë.
“Në pikën 7 të marrëveshjes bazë thuhet “një nivel adekuat i vetmenaxhimit të komunitetit serb”. Thuhet “komuniteti serb”, jo “komunat”. Komuniteti nuk është kategori territoriale, e komunat janë njësi territoriale, pra nuk është e njëjta gjë”.
“Unë e kuptoj që nuk janë krejtësisht të ndryshme, por nuk janë e njëjta gjë. E kam thënë në kuvend se nga pikëpamja ime, kur themi “komuniteti serb”, atëherë automatikisht shkojmë tek marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave sipas KiE-së. Kjo është platforma në të cilin kuptohet edhe angazhohemi për komunitetet”, është shprehur Kurti.
Tutje, ai tha se nuk i mohon dy marrëveshjet e kaluara, atë të 19 prillit 2013 dhe 25 gushtit të vitit 2015, por sipas tij, të dy ato marrëveshje janë shumë të cenuara.
“Marrëveshja e parë, është cenuar nga vetë presidenti i Serbisë që i ka dhënë urdhër strukturave serbe për inkuadrim në sistemin e Kosovës e më pas dorëheqje kolektive. Kjo është shkelje e marrëveshjes së 19 prillit 2013. Pra, marrëveshja e vitit 2013 nuk e mohojmë që ekziston, por konstatojmë që është shkelur nga Serbia”.
“Tjetra, marrëveshja e vitit 2015 s’e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese në 23 nene në të gjithë kapitujt e asaj marrëveshjeje”, tha Kurti.