Ministrja Nagavci priti një grup të mësimdhënësve nga Programi Akademik i Bashkëpunimit Ndërkombëtar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka pritur sot një grup të mësimdhënësve të OeAD (Programi Akademik i Bashkëpunimit Ndërkombëtar), të cilët veprojnë në kuadër të universiteteve në shtetet fqinje, të prirë nga koordinatorët e programit për lektorët të OeAD me seli në Vjenë, Dr. Arnulf Knafl dhe Dr. Yasmin El-Hariri.

Në këtë takim, grupi është shoqëruar edhe nga zëvendësambasadori i Austrisë, Martin Schaller. Ministrja Nagavci, me këtë rast, përmendi mbështetjen e madhe që ka dhënë shteti austriak për Kosovën, veçanërisht për arsimin, në periudha të ndryshme. Ajo theksoi se kjo mbështetje po vazhdon me projekte të rëndësishme, gjë që po e ndihmon MASHTI-n në synimin për sigurimin e cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit.

Po ashtu, ministrja foli për punën që po bëhet në arsim, duke filluar nga zhvillimi në fëmijërinë e hershme, ndërsa përmendi fillimin e implementimit të arsimit dual, punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta dhe ndarjen e buxhetit edhe për 300 të tjerë për këtë vit, skemat për mbështetjen financiare të studentëve, veçanërisht mbështetjen financiare të nxënësve dhe studentëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Ministrja Nagavci përmendi edhe miratimin e Planit Strategjik për Arsimin 2022-2026, si një dokument i rëndësishëm i prioriteteve të përcaktuara, me implementimin e të cilit MASHTI synon të përmirësojë gjendjen në arsim dhe të ofrojë shërbime cilësore në institucionet arsimore në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.