Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka konfirmuar se Policia e Kosovës është duke i hetuar personat të cilët tentuan ta kurdisin rezultatin e ndeshjes së tretë gjysmëfinale ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës.
“Nga informatat zyrtare që kemi, Policia e Kosovës ka nisur hetimet për të kuptuar se kush ka qenë ai person apo ata persona të cilët kanë dashur ta bëjnë një gjë të tillë. Ne brenda Federatës i kemi përfunduar të gjitha ato procedura të cilat kemi mundur ti përfundojmë”.
“Ne kemi reaguar shpejt dhe i kemi larguar referët të cilët kanë pasur kontakt të paautorizuar tash po i bie para më shumë se dy javësh”, ka thënë ai.
“Ne i kemi informuar organet e drejtësisë me të gjitha informatat që kemi pasur dhe presim prej tyre të marrim raport se cka ka ndodhur saktë. Është në interes të FBK-së dhe të gjithëve që të zbardhet sa më shpejt kjo çështje dhe të tregojmë se jemi të interesuar që të ruajmë integritetin e garave dhe nuk do të lejojmë askënd që të manipuloj apo të kurdis rezultatet e ndeshjeve”, ka vijuar Fetahu.
DTV