/

Rasti “Stenta 2”, internisti thotë se lëshoi sektorin publik pasi u zhgënjye dhe u persekutua përmes aktakuzës

Internisti Petrit Ademaj thotë se ka lëshuar sektorin publik pasi ishte ndier i zhgënjyer dhe i persekutuar nga aktakuza në rastin “Stenta 2”.
Ketë deklaratë Ademaj e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën ku ka vazhduar dhënia e mbrojtjes edhe nga të akuzuarit tjerë: Ismajl Avdimetaj, Aferdita Selmanaj, Sali Shala, Luan Pazhari, Bajram Preteni dhe Bajram Mziu.

Fillimisht, i akuzuari Ismajl Avdimetaj ka sqaruar se prej vitit 2000 ka ushtruar profesionin e internistit në spitalin rajonal në Pejë, e që në të njëjtën kohë, sipas tij, kishte punuar edhe në spital special “EDA”, në spitalin internacional “IMH” dhe se fundi edhe në spitalin turk “Milenium”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se në të gjitha institucionet kishte pasur kontratë për të kryer shërbime mjekësore dhe se ishte paguar përmes xhirollogarisë.

Avdimetaj ka mohuar të jenë kryer shërbimet e stentimit për pacientët në institucione publike shëndetësore në periudhën kur akuzohen.

I pyetur nga avokati i tij Dren Salihu se a kishte pranuar ndonjëherë ndonjë shumë në emër të marrjes së ryshfetit, i akuzuari Avdimetaj tha se ai nuk kishte pranuar para nga askush.

“Unë nuk jam i njoftum për këtë shumë, unë kurrfarë parash prej askujt s’kom marrë. Ata munden me shkru gjithçka po mu kush pare s’mka dhanë. Bile unë ju pata thanë atyne, këqyre nëse e gjeni prej kur kam fillu një njeri që unë i kam marr pare çomni burg edhe mos më lëshoni ma”, tha i akuzuari Avdimetaj.

Ndërkaq, i pyetur për Lulzim Brovinen, i akuzuari Avdimetaj tha se me të kishte qenë në specializim në Shkup dhe se kishte pasur vetëm raporte profesionale me të.

I akuzuari Avdimetaj ka sqaruar se ai para prokurorit Besim Kelmendi ishte mbrojtur në heshtje për shkak se i kishte pasur raportet e këqija me të.

“Po sepse i pata pas raportet e këqija, edhe s’kom desht me fol se kom dyshu se se ka pas qëllimin e mirë. Une sosht që s’di me fol po s’kom deshtë me fol në shenj revolte”, tha ai.

Tutje, i akuzuari Petrit Ademaj gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka deklaruar se ai që na viti 2002 deri më 2017 kishte punuar në spitalin regjional të Pejës në njësinë koronare, ndërkaq pas vitit 2017 tha se kishte ndërprerë punën në institucione shëndetësore publike duke vazhduar punën në ambulant private. Ndërsa nga viti 2019 ai tha se punon si kardiolog konsulent edhe në spitalin amerikan në Prishtinë.

Ai tha se arsyeja kryesore e ndërprerjes së punës në institucione publike kishte qenë ndjenja e zhgënjimit dhe persekutimit që i është shkaktuar me këtë aktakuzë.

“Atmosfera që është kriju në media, të pavërtetat e plasune, kanë cenu integritetin tim moral si mjek dhe ka qenë e papërballueshme që vendimet e mija profesionale të merren dhe të shiqohen me mosbesim qoftë nga pacientët apo nga familjarët për shkak të asaj atmosfere të krijime”, ka thënë i akuzuar Ademaj.

Ai tha se përveç nënës të tij, nuk kishte referuar asnjë pacient tjetër qoftë në “EDA”, qoftë në MHI.

I pyetur se a kishte qenë i akuzuar më parë, Ademaj tha se ai kishte qenë në një gjykim në Gjakovë për shkak të gjoja referimeve, i cili tha se kishte përfunduar me aktgjykim lirues.

Po ashtu, i akuzuari Ademaj ka mohuar të ketë marrë para nga spitali IMH dhe EDA për referimin e pacientëve.

“Asnjë cent prej tyre se kam marrë as prej IMH as prej EDA-s. I vetmi transaksion që ka qenë me spitalin IMH ka qenë pagesa prej 8700 euro që e kam bo për operacionin e nanës”, tha ai.

Tutje, dhënia e mbrojtjes ka vazhduar me të akuzuarën Aferdita Selmanaj e cila tha se në periudhën 2012-2015 kishte punuar në spitalin rajonal në Pejë, konkretisht si interniste kardiologe, ndërsa nga viti 2008 edhe në ordinancën e saj private edhe sot e kësaj dite.

Selmanaj ka sqaruar se ajo kishte qenë e akuzuar në periudhën 2009 – 2012 për udhëzimin e pacientëve në spitale private, e që epilogu i këtij rasti kishte qenë aktgjykim lirues.

Lidhur me dëshmitarin Bujar Tabaku, e akuzuara Selmanaj ka sqaruar se ajo kishte qenë kujdestar në spitalin rajonal në Pejë në momentin kur ai kishte shkuar në emergjencë, të cilit tha se i kishte rekomanduar që të hospitalizohet për shkak të ndryshimeve në EKG dhe për shkak të mundësisë së zhvillimit të një infrakti.

Ajo tha se të nesërmen në mëngjes pasi kishte përfunduar ndërrimin, gjendja e tij ishte përkeqësuar.

“Pasi e kam përfundu ndërrimin atij ju ka përkeqësu shumë gjendja. Unë kam shku në shpi dhe se sedi çka ka ndodh më pas me të sepse të nesërmen nuk ka qenë i shtrim në spital. Nuk e kam rekomandu as udhëzu as referu as spital as privat as shtetëror sepse ai ishte i qetë”, tha e akuzuara Selmanaj.

Selmanaj ka mohuar të ketë pranuar ryshfet në shumë prej 1200 euro, e as të ketë referuar ndonjëherë ndonjë pacient në spitalin IMH.

“Nuk e di arsyen pse mundet dikush t’i shkruajë ato ose t’i ofroj ato të holla kur unë nuk kam punu në spitalin IMH, nuk kam referu asnjë pacient në IMH dhe nuk kam krye kurrfarë shërbimi atij spitali, edhe atëherë edhe sot e kësaj dite nuk e di ku është ai spital, kurrë skam qenë në atë spital”, tha në fund Selmanaj.

Sesioni i pasdites ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Sali Shala, i cili tha se gjatë periudhës 2012-2015 kishte punuar si internist kardiolog në spitalin rajonal në Pejë, në njësinë koronare.

Ai tha se në të njëjtën kohë kishte punuar edhe në ambulanten e tij private në Pejë dhe kishte mbajtur kujdestari edhe ne spitalin EDA dhe MHI.

Sipas tij, pagesa i ishte bërë në formë të pagave mujore, ndërkaq para “cash” nuk kishte pranuar asnjëherë.

I pyetur lidhur me një fletore që është konfiskuar në IMD dhe EDA ku është gjetur vlera për çka akuzohet, Shala tha se për këtë duhet të pyeten ata që i kanë shkruar ato, për shkak se aty ka shumë emra të personave të cilët nuk gjenden në këtë sallë.

Më pas, dhënia e mbrojtjes ka vazhduar me të akuzuarin Luan Pazhari, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Ilir Rashiti ka thënë se ai kishte qenë i akuzuar edhe më parë në Gjykatën Themelore të Gjakovës për referim të rasteve, i cili tha se kishte përfunduar me aktgjykim lirues.

Pazhari ka pohuar të ketë referuar pacientë në QKUK ndërkaq sa i përket spitaleve private ai ka mohuar të ketë pasur lidhje me ndonjë spital privat.

Leave a Reply

Your email address will not be published.