Kuvendi shqyrton Projektligjin për zgjedhjet nacionale

Në emër të grupit punues për reformën e Ligjit për Zgjedhjet Nacionale në Kosovë, Abelard Tahiri, tha se nga 130 nene gjithsej, 92 janë rishkruar apo rihartuar tërësisht.

Tahiri këto deklarime i bëri në prezantimin e Projektligjit për Reformën Zgjedhore, pikë kjo e vetmja e rendit të ditës në këtë seancë parlamentare.

“Në projektligjin për zgjedhjet nacionale prej 130 neneve gjithsej, 92 janë rihartuar apo shkruar komplet, pjesa tjetër ka pësuar ndryshime. Projektligji përbëhet prej 21 kapitujve, derisa ka trajtuar rekomandimin e misionit të vëzhguesve të BE-së dhe faza e dytë rekomandimin e Grupeve Parlamentare. Nga BE i kemi trajtuar 40 rekomandime që kanë të bëjnë me zgjedhjet nacionale”, tha ai.

Po ashtu në këtë reformë zgjedhore, është shtuar numri i deputetëve që do të votohen për Kuvendin e Kosovës, nga 5 në 10 kandidatë.

Ai u shpreh se Republika e Kosovës e rregullon në një nivel tjetër votimin e diasporës në vendin tonë, duke theksuar se tashmë diaspora do të ketë mundësi që të votojë në tri mënyra.

“Përmes këtij ligji, diaspora do të ketë mundësi të votojë edhe fizikisht në ambasadat në përfaqësitë diplomatike të vendit tonë kudo që i kemi të hapura”.

“Përpos votimit fizik në ambasada, për herë të parë i kemi mundësuar Komisionit Zgjedhor që të hapë fahun postal edhe në institucionet e Republikës së Kosovës, kryesisht në vendet ku janë përqendruar diaspora jonë. Pra qytetarët tanë që jetojnë në mërgatë do ta kenë mundësinë që të mos shpenzojnë shuma marramendëse për dërgimin e votës në Republikën e Kosovës, sepse tashmë me këtë ligj KQZ u ka mundësuar atyre që ta dërgojnë votën në vendet e BE-së, pra aty ku do të hapet fahu postal nga Komisioni Qendror Zgjedhor”.

“Dhe forma e tretë e votimit të diasporës është ajo e vjetra, që qytetarët tanë në mërgatë mund ta dërgojnë votën e tyre edhe ne Republikën e Kosovës aty ku do të hapet fahu postal nga KQZ, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën”, deklaroi Tahiri.

Ai shtoi e përfaqësitë diplomatike të Kosovës do të shërbejnë si objekte që do të shfrytëzohen nga KQZ-ja.

U bë e ditur se risi tjetër është edhe vota preferenciale, e cila nga tash e tutje me këtë projektligj nuk  do të jetë më pesë siç ka qenë në 10 vjetët e fundit, por 10.

“Nga 110 kandidatë sa janë në listë të propozuar nga partitë politike, qytetarët e Kosovës do ta kenë mundësinë që të bëjnë një përzgjedhje më të madhe, pra numri i tyre do të shkojë në 10”.

“Risi në këtë ligj është edhe numërimi i votave për kandidatë. Pra për herë të parë përmes këtij ligji kemi mundësuar që votat për kandidatë të numërohen ne qendra komunale, pra ditën e nesërme. Në ditën e votimit do të nxirret rezultati përfundimtar për partitë preliminare, për partitë politike, ndërsa të njëjtat vota do të barten në qendrat komunale ku do të fillojë numërimi për kandidatë”, sqaroi Tahiri, duke vlerësuar se më në fund po e përmbyllet një proces shumë i rëndësishëm.

 

 

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.