Zgjedhjet në Veri, çfarë ligji duhet të aprovojë Kuvendi, flet Valdete Daka

Dy udhëheqësit e vendit, presidentja Osmani e kryeministri Kurti, janë pajtuar për zgjedhje të jashtëzakonshme në katër komunat veriore pas tensioneve të fundit në terren. Të dy mbështesin opsionin e peticionit të nënshkruar nga 20% e votuesve për të larguar kryetarët aktualë shqiptarë dhe për të ardhur deri te shpallja e zgjedhjeve. Por, Kosova ka mungesë legjislacioni për ta realizuar këtë lloj referendumi.

Kosova ka arritur një marrëveshje katërpikëshe me Bashkimin Europian për të shtensionuar situatën në Veri. Një prej këtyre pikave është për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme, derisa Kosova dha një zotim se do të krijojë terrenin e përshtatshëm ligjor për të mundësuar ato.

“Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve”, thuhet në marrëveshjen e dakorduar.

Por, si do të realizohet praktikisht kjo pikë?

Ish-kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, që është edhe juriste me profesion, ka shpjeguar për Gazetën Express se për këtë pikë të marrëveshjes topi është në Qeveri meqë KQZ nuk mund të hartojë asnjë rregullore që i hap rrugë zgjedhjeve derisa mungon ligji bazë.

“Ne si shtet nuk kemi ligj për referendum. Domethënë nuk ka ligj. KQZ-ja nuk mund të bëjë asgjë, as ta iniciojë vetë. Pra, nuk është ligjvënëse. Për ta bërë një ligj të ri, mund ta bëjë Presidenca, Qeveria – është e paraparë në Kushtetutë kush mund ta bëjë iniciativa ligjdhënëse. Ndërkaq, KQZ-ja nuk mund vetvetiu kurrfarë iniciative me ndërmarrë. KQZ është institucion që organizon zgjedhje, kujdeset për mbarëvajtjen e tyre dhe kaq. Meqenëse, nuk ka bazë ligjore KQZ-ja nuk mund të përpilojë asgjë. Rregullorja duhet të mbështetet në një ligj. Nëse tenton KQZ-ja të bëjë rregullore nuk ka bazë ligjore. Nuk mund të bësh rregullore pa e pasë ligjin për referendumin”.

Duke qenë se KQZ nuk mund të bëjë ligje, Daka tha se ky institucion vetëm mund të harmonizojë rregullativën dytësore me ligjin bazë dhe ligji bazë mungon.

“Se si ia bëjnë pikës së dakorduar me BE-në është çështje e Qeverisë, e KQZ-së nuk është fare”, shtoi ajo.

Çka deklaroi Kurti për zgjedhjet?

Kryeministri Kurti u pajtua që në Veri nevojiten zgjedhje të jashtëzakonshme, por s’ishte i pajtimit që kryetarët aktualë të hiqen nga posti duke ua kërkuar dorëheqjen. Ai tha se kjo s’ishte as në bindjet e tij politike.

“Zgjidhja për zgjedhje duhet të jetë ligjore, por nuk kam as të drejtë ligjore, institucionale dhe kushtetuese që të kërkoj dorëheqjen e tyre dhe këtë s’e bëj dot as nga pikëpamjet e mia politike dhe etike. Duhet zgjidhje tjetër për zgjedhje të reja, që duhet gjithashtu të jetë ligjore”, kishte deklaruar Kurti.

Për këtë zgjidhje ligjore, Kurti mbështetet te një nen i vetëqeverisjes lokale.

“Ndërrimi i pushtetit nuk mund të bëhet me dhunë, nuk mund të bëhet duke plagosur ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës apo gazetarët, por vetëm me zgjedhje të parakohshme. Dhe, për këtë neni 72 për vetëqeverisje lokale e shpjegon shumë qartë se si duhet të fillohet me mbledhjen e 20 për qind të elektoratit të githëmbarshëm si nënshkrime të një peticioni që e nisin procesin për ato zgjedhje të parakohshme”, tha Kurti në fillim të këtij muaji.

Kurti tha se ky proces i zgjedhjeve duhet të niset me garancinë për pjesëmarrjen e serbëve në këtë proces që të mos përsëriten zgjedhjet e shkuara.

Çka thotë neni 72?

Neni 72

Largimi i kryetarit

– 72.1 Qytetarët e komunës mund të ndërmarrin iniciativë për largimin e kryetarit të komunës.

– 72.2 Kërkesa e tillë duhet të nënshkruhet nga njëzet (20) përqind e votuesve të regjistruar dhe i dorëzohet kryesuesit të kuvendit të komunës, i cili e paraqet çështjen në institucionin përkatës për administrimin e votimit.

– 72.3 Nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi zgjedhjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.