Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të organizojnë sërish zgjedhjet në katër komunat veriore të vendit, kurdo që i kërkohet nga institucionet përgjegjëse, thotë zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.
Sipas tij, KQZ-ja si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen, prandaj edhe do të merret me të gjitha fazat e organizmit e implementimit të planit.
Elezi shtoi se me këtë ata po përmbushin detyrat që dalin nga Kushtetuta e ligjet në fuqi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i përhershëm kushtetues, e ka për detyrë kryesore organizimin e zgjedhjeve kurdo që ato shpallen”.
“Si çdoherë, ashtu siç kemi thënë edhe në të kaluarën, KQZ-ja është e gatshme për të përmbushur detyrat që dalin nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”.
Përderisa Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka filluar procedurat për dorëheqjen e katër kryetarëve në komunat në veri.
Grupi punues duhet ta finalizojë Projekt-Udhëzimin Administrativ dhe ta procedojë te zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MALP-së deri me datën 1 shtator të këtij viti.
Kujtojmë, më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se zgjedhje nuk mund të ketë pa shtensionim të plotë të situatës në veri.
BE-ja ka bërë thirrje që zgjedhjet në veri të mbahen në një afat sa më të shkurtër kohor.