“Shqipëria mund ta refuzojë kërkesën e Speciales për ekstradimin e ish-ushtarit të UÇK-së”

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, i tha Ekonomia Online, se Gjykata Speciale nuk ka juridiksion në territorin e Shqipërisë dhe si e tillë kërkohet aprovim nga Ministri i Drejtësisë të Shqipërisë, për ekstradim të ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dritan Goxhaj. Ky i fundit, u arrestua ditë më parë në Tiranë.

Sipas njoftimit, Goxhaj u arrestua në bazë të një fletarrestimi për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë, që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave.

Ndonëse e ka të drejtën të lëshojë fletarreste ndërkombëtare mbi vendet që e njohin Gjykatën Speciale, Miftaraj thotë se mbetet në vullnetin politik të atyre shteteve nëse duan ta respektojnë vendimin e Speciales.

“Ligji për Dhomat e Specializuara kryesisht ka juridiksion për territorin e Kosovës që nënkupton që është e obligueshme për territorin e Kosovës. Përderisa shtetet tjera të cilat në një farë forme e kanë njohur Gjykatën Speciale, mbetet në vullnetin politik të atyre shteteve nëse duan ta njohin dhe të respektojnë vendimet e Gjykatës Speciale. Mbetet në vullnetin e ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë nëse i njëjti do ta miratojë këtë rast kërkesën për ekstradim për në Hagë. Gjykata Speciale në bazë të ligjit e ka të drejtën që të lëshojë fletarreste ndërkombëtare, gjithmonë në emër të Republikës së Kosovës të lëshojë kërkesa për arrestim të përkohshëm, pritje të ekstradimit për në Hagë, por që tashmë mbetet në vullnetin politik të ministrit të Drejtësisë në Shqipëri nëse do ta ekstradojë të njëjtin në Hagë”, thotë Miftaraj.

Duke folur për punën 8 vjeçare të Dhomave të Specializuara në Hagë, Miftaraj parasheh stërzgjatje të procesit. Ai është skeptik që beteja e ish-krerëve të UÇK-së me drejtësinë e Hagës mund të përfundojë brenda katër vitesh.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) e monitoron në mënyrë sistematike punën e Gjykatës Speciale dhe tanimë të gjitha seancave të cilat janë publike për të gjithë të akuzuarit që janë në proces. Fatkeqësisht kjo Gjykatë po ballafaqohet me një tempo shumë të ulët të efikasitetit, po shohim se procesit gjyqësore do të jenë të stërzgjatura. Nëse marrim për baze faktin e rastit kryesor ku janë të përfshirë ish-presidenti Thaçi dhe të tjerët, ky rast siç duket do t’i marrë tri ose katër vite për të ardhur deri te një epilog në shkallë të parë. Gjithmonë flasim nëse vazhdon me të njëjtin tempo dhe nëse nuk ndodh diçka e paparashikueshme gjatë këtij procesi”, thotë Miftaraj.

Krahas vonesave në vendimmarrje, Miftaraj ripërmend faktin se baza e aktakuzës nuk janë pretendimet e ish-senatorit Dick Marty, për trafikim me qenie njerëzore, raporton EO.

“Nëse e lexojmë raportin e senatorit Dick Marty dhe atë që është miratuar në Këshillin e Evropës, akuza kryesore ajo e cila në një farë e ka ndez sentimentin e asamblistëve në Këshillin e Evropës kanë qenë akuzat për trafikim me organe njerëzore. Kjo padyshim ka qenë një akuzë shumë e rëndë, e cila në një farë mënyrë nëse je senator në KE, sigurisht se dëshiron të sqarohen këto rrethana se si ka mundur të ndodh një gjë e tillë qoftë në Kosovë, por edhe në Shqipëri, siç kanë qenë pretendimet e Dick Martyt”, thotë Miftaraj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.