Përmes fotografisë pranë një dere në Pallatin e Drejtësisë, me një dosje në dorë, Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, ka njoftuar se ka paditur mediumin online “Nacionale” dhe gazetarin Berat Buzhala dhe zyrtarin e MINT, Enver Hajrullahu. Arsyet e padisë janë disa audio-incizime të publikuara nga mediumi për keqpërdorime me rezervat shtetërore në MINT-.
“Tentimet e dështuara për të cënuar integritetin dhe dinjitetin tim, përmes disa audio-incizimeve por edhe duke i dhënë vehtes të drejtën për të shpifur, duke shantazhuar dhe shpërndarë informacione të pavërteta, do të marrin epilog në organet e drejtësisë”, ka shkruar ministrja në mbishkrimin e fotografisë.
Këtë hap të saj, e kanë kritikuar disa prej gazetarëve.
Gazetari Astrit Gashi ka shkruar se në gjithë karrierën e tij nuk ka parë kurrë më parë që një ministre të ketë pozuar me padi në dorë ndaj një medie, sic ndodhi sot.
Sipas tij, kjo padi ngjan më shumë në veprim për marrëdhënien me publikun, sesa kërkim i drejtësisë.
Gazetari Ilir Mirena, drejtor i Periskopit, ka shkruar “N’vend qe n’ate leter me e pas tekstin e doreheqjes, kjo shkon e bon padi ndaj mediave”.
Ai tutje shkruan se padia ndaj mediave, nuk mbulon “vjedhjen ne rezerva ushqimore te vendit…”.
Ministrja Hajdari ka qenë aktivisht e përfshirë në luftë me media së fundmi. Ministria e saj vendosi edhe për pezullimin e licensës së mediumit Klan Kosovës, por këtë vendim e shtyu Gjykata Komerciale të enjten.
Drejtori i Insajderit, Parim Olluri, ka përmbledhur rastin e licensës dhe të padisë në një postim.
“Vere e nxehte anti-media per Rozeta Hajdarin. Njerit medium ia pezullon çertifikaten e biznesit, per tjetrin poston fotografi me padi ne dore”, shkroi Olluri.
Gazetarja Dafina Demaku ka ironizuar me ministren, duke publikuar foton e saj para Pallatit të Drejtësisë, me shkrimin “Qeveria e shpresdhënies: Pas nje serie aferash, ministrja Hajdari paditë veten ne gjykatë. Drejtësi për Rozeta Hajdarin”.