Ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk do t’i pezullojë sanksionet ndaj Kosovës, pa u përmbushur tri kushtet e saj nga ana e Qeverisë së Kosovës për qetësim të situatës në veri të Kosovës.
“Nuk besoj që Kosova do të mund t’i vendosë kushte BE-së apo ShBA-së. Mendoj që është krejtësisht e pakuptimtë. Pikësëpari, pse kemi ardhur në një gjendje të tillë, pse është dashur të ndodhë gjithë ajo traumë, gjithë ato trazira, përleshje dhe gjithë ajo dhunë”, ka thënë Çollaku.
“Nuk e kuptoj çfarë strategjie e pakuptimtë e dëmshme është aplikuar në këtë rast nga Qeveria e Kosovës dhe nuk mendoj që BE-ja do të ketë vullnet minimal që të heq dorë apo të pezullojë sanksionet që janë në fuqi për aq kohë sa Kosova dhe Qeveria e Kosovës nuk i përmbush kushtet e vendosura nga BE-ja dhe ato janë krejtësisht të qarta”.
Duke iu referuar tri pikave të BE-së, ai e ka përmendur qetësimin e situatës në veri të vendit, tërheqjen e Policisë së Kosovës nga atje si dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, gjë që sipas tij, ende nuk ka ndodhur.