Ministria e Mbrojtjes i ka mohuar zërat kinse ka pasur një përleshje fizike mes ish-ministrit të Mbrojtjes Armend Mehaj dhe zv/ministrit Shemsi Syla.
Në një përgjigje për Gazetën Express, Liridona Gashi nga Ministria e Mbrojtjes, tha se lajmet e publikuara janë plotësisht të pavërteta.
“Lajmet e publikuara nga disa portale për gjoja përleshje mes ish ministrit Mehaj dhe zv.ministrit Syla janë plotësisht të pavërteta, andaj nuk mund të konsiderohen as raportime”, ka deklaruar Gashi.
Kur u pyet se si qëndrojnë raportet mes Mehajt dhe Sylës, Gashi tha se raporti i tyre ka qenë bashkëpunues dhe vazhdon të jetë i tillë anipse është emëruar një ministër tjetër më vend të Mehajt.
Express ka tentuar të marrë një përgjigje nga zv/ministri Shemsi Syla, por i njëjti nuk i është përgjigjur telefonatave dhe mesazheve të redaksisë.
Të martën, Armend Mehaj ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Mbrojtjes, pasi bashkëshortja e tij vuan nga një sëmundje e rrallë. Ai në krye të ministrisë ishte për 29 muaj.
Mehaj ishte njëri nga ministrat që Kurti e solli nga diaspora për ta bërë pjesë të kabinetit të tij. Dorëheqja e tij ngjalli shumë reagime falënderuese nga ambasadorë, bashkëpartiakë e kundërshtarë politikë.
Në vend të Mehajt, kryeministri Kurti e emëroi kolonelin Ejup Maqedoncin.