Në prag të takimit Erdogan-Vuçiq, paralajmërohen “vija të kuqe ndaj Turqisë” – përmendet armatosja e FSK-së

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq u ankua gjerësisht rreth armatosjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Turqia, ku edhe tha se Serbia “duhet t’i tregojë vijat e kuqe” Ankarasë, duke folur edhe për takimin që pritet të zhvillohet sot dhe nesër në Budapest ndërmjet Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

“Marrëdhënien me Turqinë e kemi të ndjeshme dhe të rëndësishme për shkak se janë superfuqi, e cila, përveç tjerash, ka edhe më së shumti ushtarë në KFOR. Çfarë përbën problem për neve është armatosja e FSK-së, dhe ne duhet t’ua tregojmë qëndrimin tonë, pozicionin e Serbisë, se cilat janë vijat e kuqe”, ka thënë Millosh Vuçeviq.

“Takimet nuk do të jenë të lehtë nuk do të jetë i lehtë, për shkak se e mbarë ish-Jugosllavia është prezente, përfshirë Kosovën, Rumania, Bullgaria, si dhe Ukraina”, ka thënë ai. Vuçeviq tha se sa i përket Hungarisë, “ata janë avokati më i mirë i Serbisë në Bashkimin Evropian”.

Kujtojmë se Kosova kohëve të fundit ka blerë dronë Bayraktar nga Turqia, gjë që ka zgjuar indinjatë të thellë në Serbi, e veçanërisht te Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili madje edhe ka ndërprerë blerjet e dronëve të njëjtë nga Turqia.

Leave a Reply

Your email address will not be published.