Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka reaguar pas lajmit të MASHT-it, për mos blerjen e librave për fëmijet.
Krasniqi ka thënë se prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti, duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre.
Ndërsa ka pohuar se skandalet në këtë qeveri s’kanë të ndalur.
“Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Postimi i plotë i Krasniqit:
Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre.
Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla. Këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke u lehtësuar sadopak barrën e shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, përmes sigurimit të librave falas.
Kur ne po flasim për paaftësi qeverisëse – kjo është ajo për të cilën e kemi fjalën konkretisht. Dështimi për të përmirëruar jetën e qytetarëve, në çfarëdo aspekti. Për më keq, përmes veprimeve të tyre, kjo Qeveri vetëm sa po e rëndon dhe po e bën më të papërballueshme mbijetesën e familjeve të vendit tonë.
Fjalët janë të mira, por qeverisja bëhet me punë, përgjegjësi e dije. Sot, fatkeqësisht, qytetarët po detyrohen të zgjedhin në mes të tatimeve, sigurimit të ushqimit apo shkollimit të fëmijëve. Me këtë lloj qeverisje, Albin Kurti vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë.