Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka udhëtuar për në Athinë, atje do të marrë pjesë në një darkë të ftuar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur se kryeministri Kurti atje do të zhvillojë edhe disa takime.
“Kryeministri Kurti ka udhëtuar për në Athinë ku do të marrë pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri grek, Mitsotakis me liderët e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në 20 vjetorin e Samitit të Selanikut. Gjatë qëndrimit atje do të zhvillojë edhe disa takime për të cilat do të njoftoheni me kohë”, tha Kryeziu.
Takimet e kryeministrit grek, si dhe darka informale, sinjalizojnë, siç thonë burimet qeveritare greke, rolin kryesor që luan Greqia si shtyllë e stabilitetit, paqes dhe sigurisë energjetike në Ballkan dhe Evropën Juglindore.