Krasniqi takon drejtorët e arsimit të PDK-së, kritikon qeverinë për çështjen e librave

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, njoftoi se sot ka pritur në takim drejtorët e departamenteve të arsimit nga radhët e PDK-së nëpër komunat ku qeverisin apo bashkëqeverisin, me të cilët së bashku diskutuan dhe ngritën shqetësimin e thellë për siç tha, skandalin e fundit të Qeverisë Kurti lidhur me mos-furnizimin e nxënësve me tekste shkollore.

Me anë të një postimi në Facebook, Krasniqi shprehet se “paaftësia dhe shkeljet ligjore të kësaj Qeverie, për të dytin vit me radhë në arsim, vetëm dhjetë ditë para fillimit të vitit të ri shkollor, po dëmtojnë shumë nxënësit dhe familjet, duke u shkaktuar vështirësi të reja, por edhe shpenzime të mëdha për familjet kosovare”.

Tutje ai vlerësoi se pabarazia që po u ofrohet si zgjidhje familjeve kosovare, ka qenë e tejkaluar që para 15 vjetëve nga vendimet e PDK-së, me dhënien e librave falas për çdo nxënës.

“Barrën e paaftësisë qeverisëse, padrejtësisht dhe me fajin e pushtetarëve, do ta vuajnë vetëm qytetarët e vendit tonë!”, shkroi i pari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.