Dosja e Ridvan Muharremit në Gjykatë: Jam kthyer nga Zelanda e Re për të kontribuar për Kosovën

Ridvan Muharremi, një afarist nga Prishtina, po dyshohet se u përfshi në dallaveret me rezervat shtetërore.

Me kërkesë të Prokurorisë Speciale, Muharremi, së bashku me dy zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara, po mbahen në paraburgim për 30 ditë.

Në aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës, të cilin e ka siguruar kallxo, janë zbardhur detajet dhe deklarimet e të pandehurve dhe avokatëve mbrojtës të tyre.

Siç përshkruhet në dosje, avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, gjithë procesin ndaj klientit të tij e ka quajtur politik. Ai gjithashtu kishte kërkuar që të refuzohet kërkesa e Prokurorisë Speciale për paraburgim ndaj Ridvan Muharremit.

“Në pjesën e dispozitivit që ka të bëjë me të pandehurin Ridvan Muharremi qëndrojnë konstatime të cilat lirisht mund të quhen të trilluara sepse ato nuk ekzistojnë dhe kjo lidhet me faktin ku pretendohet se Ridvan Muharremi paska pasë më herët marrëdhënie kontraktuese me operatorin ekonomik kompaninë “Yafe Turizm” nga Turqia e që nuk qëndron” – citohet të ketë thënë avokati Mahmut Halimi para trupit gjykues më 19 gusht.

Tutje, avokati Halimi tha se në rastin ndaj Ridvan Muharremit nuk ka asnjë keqpërdorim e as vjedhje.

Sipas dosjes, Halimi ka thënë se Ridvan Muharremi vjen nga një familje me traditë patriotike, është një afarist i suksesshëm dhe njeh njerëz nga shumë vende të botës.

“Ka njerëz nga të gjitha anët e botës me të cilët ka komunikuar, punuar dhe zgjeruar miqësi. Gjithmonë do t’i përgjigjet atdheut sa herë kërkohet nevoja që të japë një kontribut sado të vogël për të mirën e vendit” – citohet tutje të ketë thënë avokati i Ridvan Muharremit.

Avokati Mahmut Halimi e ka pranuar se klienti i tij u angazhua për t’i siguruar kontaktet rreth rezervave shtetërore. Ai tha se kontaktin me pronarin e kompanisë “Yafe Turizm” nga Turqia e ka pasur në restorantin e tij në Prishtinë “Bukë e Zemër”, duke i kërkuar atij ndihmë për sigurimin e rezervave shtetërore. Kjo, sipas avokatit, u bë për shkak të gjendjes së krijuar në tregun ndërkombëtarë pas agresionit rus mbi Ukrainën.

Ai tutje ka theksuar se i mbrojturi i tij nuk ka ndonjë kontratë të lidhur me Ministrinë që drejtohet nga Rozeta Hajdari dhe angazhimin e tij e ka nisur në baza vullnetare dhe me mjete vetanake.

“Sa i përket produktit, ekziston komplet dokumentacioni se në fakt janë ngarkuar 10 mijë e 6 tonë në anijen e cila është siguruar me vështirësi shumë të mëdha, është bllokuar dhe nga auditori shtetëror i Turqisë është konstatuar sasia, kualiteti dhe të gjitha të dhënat e tjera të kërkuara” – citohet avokati në aktvendimin e Gjykatës së Prishtinës.

Pas kësaj, siç citohet avokati Halimi, pesha e grurit ishte konfirmuar dhe gruri ishte nisur drejt Kosovës. Avokati thotë tutje se vetë Ridvan Muharremi pas nisjes së grurit drejt Kosovës ka njoftuar Ministrinë se gruri do të mbërrijë në portin “Romano” në Durrës.

Sipas Halimit, Ridvan Muharremi nuk ka qenë fare në dijeni për mungesën e 52.5 tonelatave grurë.

 

Ridvan Muharremi, sipas dosjes së Gjykatës së Prishtinës, ishte përfshirë edhe në rezervat shtetërore për vaj dhe sheqer.

“Është kërkuar nga i njëjti që t’i ndihmojë të gjejë sasi të vajit dhe sheqerit, është e vërtetë se nga afaristet të cilët i ka njohur më parë ka pasur informatë se një person nga Prishtina ka bërë bashkëpunëtor me një shtetas të Polonisë dhe pasi ka siguruar adresën, i ka vënë në kontakte ministrinë me këta persona të cilët kanë zhvilluar bisedime” – citohet tutje avokati i Ridvan Muharremit.

Sipas Mahmut Halimit, Ridvan Muharremi është vetëm vënia e kontaktit në mes të dy subjekteve të interesuara, asgjë tjetër. Tutje, ai tha se për vonesat e sheqerit dhe vajit, Ridvan Muharremi ka këshilluar zyrtarët e Ministrisë.

Në aktvendim është cituar edhe Ridvan Muharremi, i dyshuar në aferën për rezerva shtetërore.

“Në tërësi pajtohet me pretendimet e mbrojtësit të tij dhe mbështet deklaratën që e ka dhënë me shkrim në polici dhe prokurori, thekson se ka ardhur nga Zelanda e Re në Kosovë bashkë me familje për të jetuar dhe kontribuar për Kosovën” – thuhet në aktvendimin e Gjykatës.

Por, me disa nga pretendimet e avokatit mbrojtës, Mahmut Halimi, nuk është pajtuar prokurori special, Valdet Gashi.

Gashi tha se kanë fakte se në të kaluarën, kompania turke “Yafe Turizm” që u kontaktua për sigurimin e grurit gjatë vitit 2022 kishte eksportuar disa gjëra për Ridvan Muharremin. Të dhënat, prokurori tha se u siguruan nga Dogana e Kosovës.

Sipas tij, e vërteton faktin se pretendimet e Prokurorisë nuk janë paushall dhe të pabazuara. Ai tutje ka mohuar edhe ndikimet politike në rastin që po heton.

Leave a Reply

Your email address will not be published.