Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit Xh. K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale, trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor dhe ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, ndërsa ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës për caktim të paraburgimit për të pandehurën H. K, duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak një (1) muaj për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.
Sipas kërkesës për të pandehurën H. K., “Me datën 22.08.2023, në Ordinancën “D.” në Malishevë, pa kualifikim mjekësor kryen trajtime mjekësore e cila është e regjistruar si Ambulancë Specialistike e Gjinekologjisë në emër të pandehurës, ndërsa e njëjta ka të kryer shkollimin fillore, me profesion rrobaqepëse, e ku në ordinancën e cekur më lartë, pas trajtimit mjekësor të dhënë nga vëllai i të pandehurës- i pandehurit Xh. K., ka ndërruar jetë tani e ndjera L. Sh. Po ashtu nga koha e pacaktuar e gjerë me datë 22.08.2023, me dashje dhe pa autorizim falsifikon dokumentin në emër të institucionit tjetër dhe atë të QKMF-së në Malishevë, në atë mënyrë që e njëjta si pronare e biznesit “D.”, me rastin e inspektimit në këtë ordinancë i janë gjetur 18 vërtetime për nxënës dhe student si dhe 16 udhëzime për konsultim të QKMF-së në Malishevë, të gjitha këto dokumente të zbrazëta mirëpo të vulosura me vulën e QKMF-së, pa autorizim nga institucioni përkatës”.