Shtyrja e regjistrimit të popullsisë për datë një nëntor nga Qeveria e Kosovës, ka nxitur akuza dhe kundërakuza ndërmjet qeverisë dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës. Derisa qeveria fajëson asociacionin për këtë shtyrje, këta të fundit kanë mohuar një gjë të tillë duke thënë se regjistrimi i popullsisë nuk mund të bëhet nën Rezolutën 1244.
Qeveria e Kosovës ka shtyrë për dy muaj nisjen e regjistrimit të popullsisë nga një shtatorit, për në një nëntor.
Kryeministri Albin Kurti ka fajësuar për vonesa Asociacionin e Komunave të Kosovës, duke thënë se ka hasur në “rezistencë” brenda Komisionit Qendror të regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.
Një gjë të tillë e ka mohuar për Radio Kosovën drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi. Ibrahimi ka thënë se nuk mund të ketë Asociacioni aq fuqi sa të pengojë një proces të tillë.
“Nuk është fare e vërtetë. Në këtë Këshill janë 15-16 anëtarë dhe si është e mundur që një mekanizëm joqeveritar të ketë aq fuqi sa ta shtyjë përpara një proces aq të rëndësishëm për Republikën e Kosovës. Kjo sinqerisht është e papranueshme”, tha ai.
Kurti ka akuzuar edhe ish-Qeverinë se në vitin 2011 ka kryer regjistrimin “vetëm me memorandum bashkëpunimi me një organizatë ndërkombëtare dhe një gjë e tillë sipas kryeministrit Kurti cenon shtetësinë e Kosovës. Prandaj ai ka mohuar që një gjë e tillë do të ndodhë në qeverisjen e tij.
Por Ibrahimi thotë se kryeministrit Kurtit i është ofruar që regjistrimi i popullsisë edhe kësaj radhe të bëhet nga një organizatë ndërkombëtare nën fusnotën e Rezolutës 1244, e jo me fusnotën e Brukseli.
“Ka qenë periudha e vitit 2013. Dhe në vitin 2013, nuk kemi pasur marrëveshje të Brukselit të viti 2011. Nuk mund të cilësosh diçka antiligjore kur nuk e kemi pasur marrëveshjen e 2013. Fusnota e 2013 është e pranuar ndërkombëtarisht, prandaj edhe regjistrimi i popullsisë nuk mund të bëhet me Rezolutën 1244″, tha ai.
Në vitin 2019 asokohe Qeveria e Kosovës dhe zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve – UNOPS, patën nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për regjistrimin e popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, proces që do të fillonte në vitin 2021.
Por regjistrimi i popullsisë në Kosovë ishte shtyrë për shkak të pandemisë dhe zgjedhjeve lokale. Projektin do ta implementojë Agjencia e Statistikave e Kosovës-ASK.
Në Kosovë, pas 30 vitesh regjistrimi i popullsisë ishte bërë në vitin 2011, ku në bazë të saj kishin dalë rreth 1.8 milionë banorë.