Në Gjykatën Speciale në Hagë ka filluar të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të nëntëmbëdhjetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Dëshmitari me kodin 04566 po dëshmon nën masa mbrojtëse dhe në seancë të mbyllur për publikun.
Prokurori Matt Halling e ka lexuar një përmbledhje të shkurtë të dëshmisë së tij në seancë publike, dhe sipas tij, kjo dëshmi ka të bëjë me ndalimin dhe zhdukjen e pretenduar të një familjari të 04566.
Derisa e ka lexuar përmbledhjen në gjykatore, prokurori ka thënë se ngjarja ka ndodhur në fshatin Drenoc.
Halling: Anëtari i familjes së dëshmitarit u mbajt i ndaluar ne Drenoc
“Anëtari i familjes së dëshmitarit 04566 shkoi në Drenoc në vitin 1998 ku e mbajtën të ndaluar, pjesëtarët e tjerë të familjes shkuan të merrnin vesh për fatin e tij por nuk u lejuan ta shihnin. Anëtari i familjes 04566 u zhduk, 04566 dhe pjesëtarët e tjerë të familjes bënë shumë kërkime për të marrë vesh për fatin e të ndaluarit, pa sukses. Trupi i të ndalurit u gjet shumë vite më pas”, ka thënë prokurori Halling.
Pas kësaj seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.
Ndërsa paradite ka përfunduar dëshmia e dëshmitarit W03832, e cila është dëgjuar tërësisht në seancë private.
Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar 18 dëshmitarë, prej tyre vetëm tre në gjykatore kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun.
Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nisur me 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.