Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka pritur në takim sot kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
Haradinaj tha se situata aktuale në sektorin e arsimit është e keqe për shkak të paaftësisë dhe pafytyrësisë së kryeministrit Kurti për të siguruar tekstet shkollore për nxënësit.
Madje, ish-kryeministri Haradinaj e quajti Kurtin edhe ‘njeri të paskrupullt’.
Haradinaj: Kurti njeri i paskrupullt, po tallet me të gjithë ne
“Është një situatë jo e mirë. Nga praktikat që tekstet të jenë në shkolla dhe fëmijët t’i marrin ato në shkolla, tani për prindërit do të jetë një luftë e vërtetë me i sigurua këto tekste, përfshirë edhe problemin e kostos. Shumë prindër janë në vështirësi ekonomike dhe financiare dhe munden mos me i pas prioritet tekstet dhe munden me shpenzua në kërkesa të tjera. Sikurse u tha nuk ka po ashtu librari në të gjithë Kosovën, disa prindërve do t’iu duhet me kërkua një herë, dy apo tri për t’i kërkuar librat. Me të vërtet është një situatë vërtet e pakuptimit, nuk e kuptoj pafytyrësinë e Kurtit dhe ministres. Të paktën një kërkim falje t’i bëhet Kosovës. Kosova i paguan ata që diku në pranverë me e krye çështjen e teksteve për vjeshtë. Ata njerëz të paskrupullt pa asnjë keqardhje dalin dhe tallin të gjithë dhe ata që i kritikojnë”, tha ai Hardinaj.
Ndërsa, Jasharaj tha se procesi mësimor do të fillojë më 1 shtator, por shtoi se shumë nxënës dhe mësimdhënës nuk do të kenë tekstet shkollore.
Jasharaj: Mësimdhënësit e Kosovës janë të indinjuar, por mësimi fillon më 1 shtator
“E njoftova kryetarin për gjendjen e krijuar, një gjendje tmerrësisht e keqe dhe që ndërlidhet me tekstet shkollore. Shpreh frikën se nga takimi që dje kishim me kryetarët (e degëve) që na raportuan nga komunat se mësimdhënësit e Kosovës janë thellësisht të indinjuar, prindërit janë shumë të nervozuar dhe pikëpyetja më e madhe është se po, grevë nuk ka dhe mësimi fillon të premten. Por do të kemi nxënës dhe mësimdhënës pa mjetin e vetëm, pa tekste shkollore dhe nuk dihet se kur do të arrihet të kompletohemi me tekstet shkollore”, tha ai.
Si Jasharaj ashtu edhe Haradinaj ngritën shqetësime edhe siç thanë për gjendjen e vështirë financiare të mësimdhënësve, prandaj kërkuan edhe rritjen e koeficientit të pagës së tyre.