Skuadra e Ballkanit edhe këtë vit ka shkruar historinë në arenën ndërkombëtare. Kampioni në fuqi i Kosovës në futboll, Ballkani edhe këtë edicion do të paraqitet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Përkundër humbjes në ndeshjen e kthimit të fazës së plejofit nga BATE Borisovi, Ballkani siguroi grupet falë fitores së thellë në Prishtinë javën e shkuar. Të enjten mbrëma, në “Varosi Stadion” me Mezokovesd të Hungarisë, Ballkani pësoi humbje me rezultatin minimal 1:0. Megjithatë, ekipi kosovar avancoi tutje me rezultatin e përgjithshëm 5:2 pas fitores në duelin e parë me shifrat 4:1.
Kjo ndeshje u zhvillua në Hungari dhe pa praninë e shikuesve, pasi UEFA nuk lejon ekipet e Bjellorusisë dhe përfaqësueset që duelet ndërkombëtare t’i luajnë në vendin e tyre për shkak të përfshirjes të këtij shteti në luftën e Rusisë me Ukrainën.
Për Ballkanin, ky është edicioni i dytë rresht që do të luajë në fazën e grupeve të garës së tretë të nivelit të UEFA-s. Edicionin e shkuar, Ballkani shkroi historinë duke u bërë ekipi i parë nga Kosova që u paraqit në fazën e grupeve të njërës prej tri garave kryesore të UEFA-s. Në gjashtë ndeshje të zhvilluara, Ballkani regjistroi një fitore, një barazim dhe katër humbje.
Kundërshtarët dhe grupin për këtë edicion, Ballkani do ta mësojë të premten, kur do të tërhiqet shorti për Ligën e Konferencës, por edhe Ligën e Evropës. Në ndeshjen e kthimit ndaj BATE-s, Ballkani kryesisht ishte i fokusuar në mbrojtjen e rezultatit dhe konfirmimin e kualifikimit në fazën e grupeve.
BATE dominoi ndeshjen, pasi pati posedimin e topit si dhe krijoi më shumë raste shënimi, por nuk arriti të realizojë më shumë se një gol. Goli i vetëm në ndeshje, u shënua në minutën e 30-të. Ishte mesfushori Artem Kontsevoy.
Rastin më të mirë për Ballkanin në këtë përballje, e pati rezervisti Albin Berisha. Ai në minutën e 69-të pas një kundërsulmi të shpejtë, dështoi i vetëm përball portierit kundërshtar. Berisha nuk u tregua aspak i saktë, pasi gjuajti dobët dhe topi shkoi shumë larg pingules së djathtë të portierit Andrei Kudravets.
Për Ballkanin, kjo ishte humbja e parë këtë edicion në raundet kualifikuese të Ligës së Konferencës. Në gjashtë ndeshje të zhvilluara, Ballkani regjistroi pesë fitore rresht.
Skuadra nga Suhareka garat evropiane këtë edicion i ka nisur në Ligën e Kampionëve. U eliminua në raundin e parë kualifikues nga Ludogoretsi i Bullgarisë për t’u bartur në Ligën e Konferencës. Në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, Ballkani eliminoi Larnen e Irlandës së Veriut. E në raundin e tretë kualifikues ishte më i mirë se kampioni i Gjibraltarit, Lincoln Red Imps që e eliminoi. Ndërkohë, me të arritur në plejof, Ballkani tejkaloi edhe pengesën e fundit, BATE Borisov që e eliminoi për ta prekur sërish fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Në fakt, Ballkani nuk është ekipi i vetëm nga Kosova këtë edicion që do të paraqitet në grupet e njërës prej garave të UEFA-s, por edhe skuadra e vetme shqiptare.