Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës që të sigurohet se nuk do të ketë abuzime me çmimin e librave.
Nagavci përmes një postimi në “Facebook”, njoftoj se nga Autoriteti i Konkurrencës kanë marr zotimin se do ta monitorojnë me kujdes të shtuar tregun.
“Procesi i shitjes së teksteve shkollore ishte temë diskutimi në një takim që kisha me përfaqësues të Autoritetit të Konkurrencës të kryesuar nga kryetarja e këtij institucioni, znj. Neime Binaku Isufi.
Si Ministre e Arsimit, kërkova që në kuadër të kompetencave, ky institucion të sigurohet që të mos ketë abuzim me çmimet e teksteve shkollore të cilat këtë vit do të blihen nga prindërit me mjetet që do të ndahen nga Qeveria.
Gjatë këtij takimi morëm zotimin se Autoriteti i Konkurrrencës do të monitorojë me kujdes të shtuar tregun, përkatësisht procesin e shitblerjes së teksteve shkollore, sipas kompetencave ligjore.
Në rast të evidentimit të ndonjë veprimi që bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të na vë në dijeni për procedurat e mëtutjeshme ligjore” ka shkruar Nagavci në një postim në Facebook.