Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i ka dërguar të premten një letër përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, që Serbia t’i hapë të gjitha arkivat e saj, përfshirë edhe ato të klasifikuara.
Në letër shkruan se si Komisioni, së bashku me familjet e të zhdukurve kanë bërë thirrje që Serbia t’i hapë arkivat e saja, pasi “zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti”.
Kryesuesi i këtij Komisioni, Andin Hoti, në letrën drejtuar Borrellit, ka shkruar se më 1 qershor ka bërë kërkesën e parë te presidenti serb Aleksandar Vuçiq për qasje të plotë në materialin arkivor. Por s’ka marrë përgjigje.
“Me miratimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur, në të cilën janë futur edhe personat e zhdukur me forcë, të datës 02 maj 2023, Serbia ka marrë angazhime të vonuara prej kohësh. Në përputhje me angazhimet e Serbisë sipas Deklaratës, më 01.06.2023 i dërgova kërkesën e parë zyrtare presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për qasje të plotë në materialin arkivor, duke përfshirë por pa u kufizuar në dosjet e klasifikuara, të prodhuara në Komandën e Shpërbërë të Brigadës së Motorizuar të 37-të të Ushtrisë Jugosllave. Dhënia e qasjes së plotë në këtë material do të shërbente për të zbuluar rrethanat e vrasjeve dhe transferimin e eshtrave të shqiptarëve të Kosovës të zhdukur me forcë dhe do të kontribuonte drejtpërdrejt në zgjidhjen e fatit të të zhdukurve me forcë në rajonin e Drenicës. Por katër muaj nga Deklarata dhe tre muaj nga kërkesat që i kam dërguar Vuçiqit, nuk ka përgjigje nga Serbia”, thuhet në letër.
“Mungesa e bashkëpunimit të Serbisë në përmbushjen e zotimeve të saj rrezikon përpjekjet tona të përbashkëta për të bërë përparim në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur me forcë, përmbushjen e detyrimeve tona dhe zbutjen e vuajtjeve të tmerrshme të familjeve”, vijon letra e Komisionit dërguar Borrellit.
Më 2 maj, Kurti e Vuçiqi e nënshkruan Deklaratën për të Pagjeturit dhe e bënë zotimin ta lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre. Por, arkivat e Ushtrisë dhe të Policisë serbe deri më tani kanë mbetur të paqasshme për autoritetet në Kosovë.
Sipas UNMIK-ut, 6.065 persona janë zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999. Aktualisht janë 1.617 raste të hapura të personave të zhdukur, prej të cilëve 1,355 janë meshkuj dhe 262 femra.