Gjykata Themelore në Pejë ia ka ndërprerë masën e paraburgimit njërit prej 12-të të akuzuarve në rastin e njohur si, “Brezovica”, Bratisllav Nikoliq, ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, përmes dorëzanisë.
Këtë e ka bërë të ditur për DTV-në avokati i tij, Artan Qerkini, i cili ka thënë se klienti i tij ka paguar shumës prej 50 mijë euro në formë të dorëzanisë.
“Ai është liruar me masën e dorëzanisë, në lartësi prej 50 mijë euro”.
Ndryshe, Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, aksionin “Brezovica” e kishte nisur më 21 dhjetor të vitit 2021. Nga aksioni i parë ishin arrestuar 10 persona. Lidhur me rastin, sihte arrestuar Nikoliq.
Prokuroria Themelore e Ferizajt para më shumë se një viti kishte deklaruar se Nikolliq, kishte përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.
Për këto arrestime, kishte reaguar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte premtuar ndihmë juridike për të arrestuarit.
Shtërpca është njëra prej gjashtë komunave me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër në Kosovë, në krye të saj ishte Nikolliq, nga radhët e Listës Serbe.
Kjo është partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.
Ai, para se t’i bashkohej Listës Serbe në vitin 2013, ishte kryetar i Shtërpcës nga radhët e Partisë së Pavarur Liberale, e cila në fillim të vitit 2020 shpalli moratorium politik, si pasojë e dominimit total të Listës Serbe.
Përveç Nikoliq, janë arrestuar edhe zyrtarë të tjerë të kësaj komune, zyrtarë të lartë të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe pronarë të kompanive të ndryshme ndërtimore.