Muajt e fundit serbët janë alarmuar nga “Shqipëria e Madhe”. Ky term është përdorur shumë shpesh nga politikanë të ndryshëm në Beograd. Këtë javë, zëri i Serbisë është ngritur para ndërkombëtarëve. Ishte Ivica Daçiç, kreu i diplomacisë serbe që shkaktoi tension në forumin strategjik të Bledit. Ai përmendi Shqipërinë e Madhe disa herë. “Ju heshtni kur Kurti shfaq simbolet e Shqipërisë së Madhe në Tetovë. Nga gjashtë përfaqësues të Ballkanit Perëndimor katër janë shqiptarë. Tirana, Prishtina, zoti Osmani, Dritan Abazoviçi në Podgoricë dhe ju flisni këtu për influencë serbe në Ballkan. Ju në BE keni marrë investime nga Rusia e Kina miliona herë më shumë sesa Serbia. Sllovenia i ka ngritur përmendore Putinit, Austria ende bashkëpunon me sektorin bankar rus. Është e pafalshme që shtetet perëndimore po heshtin për Shqipërinë e Madhe që po krijohet në katër shtete të rajonit”. Daçiç iu rikujtoi shteteve perëndimore faktin se 10 vite më parë kishte nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit me Hashim Thaçin dhe Catherine Ashton por ende e pa realizuar nga Kurti në praktikë.
Sulmet e Daçiç ndaj BE
Daçiç kërkoi fillimisht sqarimin e deklaratës së kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel, se BE-ja do të jetë e gatshme të pranojë anëtarë të rinj në vitin 2030, të cilën Komisioni Evropian e mohoi një ditë më pas. “Kam një pyetje për Miroslav Lajçak. A e thotë Mishel ende atë që tha dje? E ka thënë siç ka thënë, apo e ka thënë në emër të BE-së? A janë të gjitha shtetet anëtare pas saj? Po flas plotësisht hapur, do të isha i lumtur nëse do të ishte e vërtetë”, tha Daçiq.
Daçiq tha se nuk ka më kuptim të mbahen tubime si ajo në Bled, ndaj vazhdoi me pyetjen: “Ku ishte BE-ja para shpërbërjes së Jugosllavisë?”. “Po ju nga Brukseli nuk e dini se ne duam të hyjmë në BE? Do të isha i lumtur nëse do t’i kishit kushtuar kaq shumë vëmendje viteve nëntëdhjetë, para luftës, sepse mund të mos ekzistonte nëse do të kishit ofruar integrimin evropian si alternativë. Pse nuk organizonim atëherë tubime të tilla? Edhe tani flitet për “pas luftës në Ukrainë”. Epo, nuk na duhet asgjë pas luftës, na duhet diçka para luftës! Ideja evropiane mund të ishte zëvendësim për idenë jugosllave”, tha Daçiç. Ai shprehu skepticizëm se BE-ja do të marrë anëtarë të rinj deri në vitin 2030, sepse nuk ka vendim politik, si dhe u ankua për ndryshimin e kushteve për hyrje. “Cilat janë kriteret? Ti bën një gjë, ata të vendosin me një tjetër. Marrëveshjet e nënshkruara nuk respektohen. 10 vjet më parë isha këtu me Hashim Thaçin dhe Catherine Ashton. Kam nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit dhe çfarë?! Cili është autoriteti i BE-së, e cila është garantuese e asaj marrëveshjeje? Jemi sërish në fillim”, tha Daçiç.
Millosheviçi dhe njohja e Kosovës
Daçiç ka folur edhe për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe ka theksuar se është vendimtare që fillimisht të përmbushet marrëveshja e Brukselit.
Daçiç pyeti se “çfarë duhet të bëjë më shumë Serbia për të hyrë në BE”. “Kam 20 vjet që jam përfshirë në historinë e integrimit europian. E kam dëgjuar njëqind herë. Shkatërroni Millosheviçin! Çfarë ndodhi më pas? Arrestoni Millosheviçin! Të arrestojmë Millosheviçin. Arrestoni Karaxhiçin, arrestoni Mlladiçin! Tani dikush thotë, Serbia duhet ta njohë Kosovën për të hyrë në Bashkimin Evropian. A është kjo një kërkesë? Ne nuk jemi aspak të vendosur të shkojmë më në lindje se Sllovenia. Sepse Putini ishte këtu për të hapur monumentet tuaja, apo jo?! Të vjen turp tani?”, tha Daçiç.
I pyetur nga një gazetar nëse Serbia do t’i bashkohet Organizatës së Shangait dhe se duket se është e orientuar drejt Lindjes, Daçiç është përgjigjur ashpër. “Më lejoni t’ju pyes një gjë: në çfarë bote jetoni?! A besoni vërtet në ato që thoni dhe ato përrallat që ne do t’i bashkohemi BRICS-it?! Epo, shkoni atëherë dhe dëgjoni ata që ju tregojnë përralla. Kjo nuk është realiste. Serbia është në Evropë dhe ne duam të jemi pjesë e BE-së”, tha Daçiç.