Komiteti Paralimpik i Kosovës (KPK) është bërë anëtar me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Evropian (EPC). Me 9 gusht 2023, në Asamblenë e Përgjithshme të EPC-së, të mbajtur në Rotterdam, Holandë, u votua për anëtarësimin e Komitetit Paralimpik të Kosovës në këtë organizatë evropiane. Për anëtarësimin e KPK-së në këtë rrjet votuan pro edhe shtetet të cilat ende nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, siç janë: Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia, duke bërë kështu që Serbia të jetë kundërshtari ynë i vetëm në këtë proces.
Lidhur me këtë sukses, presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, znj. Njomza Emini u shpreh jashtëzakonisht krenare. “Një rrugëtim i shoqëruar me përkushtim, punë të palodhshme, vullnet të patundur dhe besim në vlerat që përfaqësojmë, ka bindur shtetet anëtare të Komitetit Evropian që të votojnë pro anëtarësimit tonë në këtë rrjet të rëndësishëm ndërkombëtar të përfaqësimit të atletëve më aftësi të kufizuara”, theksoi Emini. Ajo falënderoi bashkëpunëtorët dhe atletët për përkushtimin në këtë proces.
Për suksesin e shënuar, Komiteti u përgëzua edhe nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani. “Ky është vetëm një hap tutje asaj që do të prisnim në shtator, ku jemi më se të bindur se Komiteti Paralimpik i Kosovës do të bëhet anëtare me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, gjë e cila rrjedhimisht edhe do të na mundësojë pjesëmarrjen e parë të Kosovës në Lojërat Paralimpike Parisi 2024. Pa dyshim që ky është moment tejet i rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të sportit”, tha Osmani.
Anëtarësimit në EPC iu gëzuan edhe vetë para-atletët. Paraatleti Irfan Spahiu, falënderoi presidenten Emini për punën e bërë deri në anëtarësim, ndërkaq theksoi që ai është shumë optimist që së shpejti do të i sjellin medalje Kosovës, nga garat ndërkombëtare.
Edhe Ganimete Morina, presidente e Federatës Paralimpike të Tenisit u shpreh entuziaste për mundësitë që do të ju ofrohen falë anëtarësimit në rrjetin evropian. “Pjesëmarrja juaj në këtë ngjarje është dëshmi për rëndësinë që Komiteti ynë po ka dita ditës, falë punës dhe përkushtimit brenda komitetit, por edhe falë mbështetjes suaj të sinqertë, për çka ju jemi shumë mirënjohës”, theksoi Morina.
Komiteti Paralimpik i Kosovës është organizatë që ka si mision promovimin dhe garantimin e përfaqësimit sa më të denjë dhe të drejtë të personave me aftësi të kufizuara në aktiviteteve sportive. Në kuadër të komunitetit operojnë një serë federatash, pjesë e të cilave janë një numër i madh i para atletëve.