Pika e Bankës Tregtare të Kosovës (BKT) në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë ishte cak i hajnave që kryen grabitje të armëtosur gjatë ditës së djeshme. Një person është arrestuar lidhur me rastin, teksa një tjetër ndodhet në arrati.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që u kap nga Policia është Nazmi Dushi, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
I njëjti bashkë me një të dyshuar tjetër, nën kërcënimin e një arme kanë arritur të grabisin rreth 6 mijë euro.
Paratë janë gjetur pikërisht te i dyshuari që u kap nga zyrtarët policorë dhe më pas janë kthyer në BKT.
Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, me ç’rast kanë bërë me dije se i dyshuari i dytë po kërkohet nga njësitë policore.
“Nga zyrtarët policorë, është arrestuar një person, për të cilin ekziston dyshimi i arsyeshëm se është i përfshirë në një rast të grabitjes, që ka ndodhur sot rreth orës 13:00, në filialin e një banke në sheshin Nëna Terezë në Prishtinë. Personi i dyshuar, N.D, mashkull, është arrestuar menjëherë pas raportimit të rastit, pak metra larg nga vendi i ngjarjes”, ka thënë zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka theksuar se lidhur me këtë rast policia është në kërkim të personit të dytë të dyshuar, i cili aktualisht ndodhet në arrati.