Komuna e Prishtinës e gatshme t’i falë 100 euro nga Tatimi në Pronë, vendimi shtyhet pas pezullimit nga Kushtetuesja

Komuna e Prishtinës është shprehur e gatshme të marrë vendim për faljen e 100 eurove nga Tatimi në Pronë, por që vendimi është shtyrë për shkak të pezullimit të nenit nga Gjykata Kushtetuese.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, në seancën e sotme, ka thënë se janë të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë pasi këtë nuk po e bën Qeveria e Kosovës.

Rama ka thënë se do të presin vendimin përfundimtar të Kushtetueses për të marrë një “vendim meritor”.

“Sa i përket faljes tatimore, e dimë që para disa muajve kemi pasur diskutim këtu në Kryeqytet rreth mundësisë për me u ndihmu qytetarëve tanë dhe atëherë patëm propozu që të bëjmë një ngrirje të vitit 2022, pra me iu dhënë kohë tatimeve të reja. Si rezultat i Ligjit të ri që Qeveria e ka bërë për falje të tatimeve, ne kemi përgatit propozimin tonë që në bazë të atij vendimi që e kemi marrë para disa muajsh ku edhe kemi vendos që secili ndryshim nga viti 2022 në 2023, t’u falet qytetarëve. Kemi propozu që kjo falje të vijë prej nivelit qendror, mirëpo niveli qendror nuk ka qenë i interesuar për me financu këtë falje dhe ne jemi pajtuar që ta bëjmë këtë”, ka thënë Rama, teksa ka kërkuar që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për një ditë tjetër.

“Mirëpo këtë pikë duhet ta pezullojmë sot për arsye se Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar Ligjin për Tatimin, kështu që ne detyrohemi që ta kalojmë këtë pikë të rendit të ditës deri në një vendim meritor të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me këtë çështje”, u shpreh Rama.

 

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.