Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka urdhëruar ndalim 48-orësh për N.A, e dyshuar për vrasjen e Saime Domazetit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, këta të fundit kanë arritur të sigurojnë prova materiale që dëshmojnë se e ndjera është goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit.
“Prokuroria Themelore në Prizren, njofton opinionin publik se lidhur me rastin e vdekjes së viktimës S.D., në fshatin Kuk – Komuna e Dragashit, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore të viktimës, kemi arritur të sigurojmë prova materiale relevante lidhur me rastin, që vërtetojnë dyshimin e bazuar se e dyshuara N.A., e ka goditur disa herë më mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë ka ardhur deri te vdekja e viktimës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
“Në rastin konkret e njejta, dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit e njëjta është ndaluar për 48 orë. Për veprimet tjera hetimore, prokuroria do t’ju mbajë të informuar”, përfundon njoftimi.