Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për sasinë e armatimit që u kap sot në një shtëpi në Zveçan, pas një bastisje nga Policia e Kosovës. Këtë njoftim Kurti e ka bërë në Twitter, platformë që nga politikanët kosovarë përdoret zakonisht për komunikim me bashkësinë ndërkombëtare.
Kurti ka bërë me dije se bastisja është kryer në prezencë të KFOR’it dhe se atje janë gjetur armë të tipit ushtarak.
“Një tjetër fitore për sundimin e ligjit dhe sigurinë. Sot Policia e Kosovës në prezencë të KFOR’it, bastisi një depo armësh në Zveçan që përdorej për të kontrabanduar armë në Kosovë për t’ua shpërndarë bandave të dhunshme. U konfiskuan armë të tipit ushtarak si pushkë automatike, granata dore dhe eksplozivë”, ka shkruar Kurti.
Për gjetjen e këtij armatimi ka njoftuar fillimisht Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai ka thënë se kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.
“Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it.
Veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit. Rendi dhe ligji nuk do të cënohet në asnjë cep të Republikës”, ka shkruar Sveçla.